Vendosni fjalën kyçe....

Berisha pret në zyrë përfaqësues të forcave politike në Malin e Zi, ka një thirrje për shqiptarët atje


Ish-kryeministri Sali Berisha këtë të mërkurë ka pritur në një takim të veçantë, përfaqësues të forcave politike shqiptare në Malin e Zi.

Bëhet fjalë për Mehmet Zenkën, i cili është Kryetar i Unionit Demokratik në Mal të Zi, Saubih Mehmetin i cili është Kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi si dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Sipas një njoftimi për mediet, në këtë takim, Zenka dhe Mehmeti e falenderuan ish-kryeministrin Berisha për qëndrimet që ka mbajtur Partia Demokratike dhe ai për afirmimin e të drejtave njerëzore etnike të shqiptarëve në Malin e Zi.

Ndërsa Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh se pakica shqiptare në Mal të Zi ka luajtur një rol me rëndësi në stabilitetin e vendit dhe rajonit. Ai u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë në Malin e Zi që të votojnë për kandidatët dhe partitë shqiptare.

“Pakica shqiptare e Malit të Zi, ka luajtur rol shumë të rëndësishëm për stabilitetin e Malit të Zi dhe rajonit në tërësi, mbasi pavarësia e Malit të Zi, në të cilën ju patët një rol thelbësor, ishte një arritje e rëndësishme jo vetëm për këtë vend por për të gjithë rajonin.

Ato, kanë qenë dhe janë një faktor i rëndësishëm i marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona.

Forcat politike kombëtare shqiptare në Mal të Zi kanë merita të veçanta në të gjitha arritjet e shqiptarëve në këtë Republikë. Mbrojtja e interesave të këtyre të fundit është shoqëruar me garanci më të mëdha për liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve. 

Ndaj dhe unë, u drejtohem me thirrjen më miqësore qytetarëve shqiptarë në Malin e Zi që të votojnë për kandidatët dhe partitë shqiptare, si kushti më i sigurt për garantimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të lirive dhe të drejtave njerëzore dhe etnike.”– u shpreh Berisha.