Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj: Fatkeqësi që qeveria nuk u ngrit përtej politikës për të ndihmuar qytetarët në përballimin e krizës


Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar pasi Kuvendi nuk votoi projektrezolutën e propozuar kampi blu në lidhje me çmimet e rritura në vend.

Alibeaj e quan fatkeqësi që qeveria nuk u ngrit përtej politikës për të pranuar rezolutën e PD-së që sipas tij do ndihmonte në përballimin e krizës ekonomike.

Fatkeqësi që qeveria nuk u ngrit dot përtej politikës për të ndihmuar në përballimin e krizës së rëndë ekonomike me të cilën përballen shqiptarët sot.

Sot qytetarët shqiptarë janë në kushte mbijetese. Sot Shqipëria është ngritur në protestë nga keqmanaxhimi dhe nga korrupsioni”-shkruan Alibeaj.

Më tej Alibeaj prezanton pikat e projektrezolutës të propozuar nga PD-ja.  

Megjithë këtë krizë të thellë deputetët e mazhorancës refuzuan:

– Uljen në 6% të TVSH për mallrat e shportës bazë, propozim konsistent i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike;

– Pezullimin e menjëhershëm të taksës së qarkullimit dhe kthimin e saj në nivelet e 8 viteve më parë, në masën 7 lekë për litër nga 27 lekë/litër aktualisht, duke eliminuar taksën Rama mbi karburantin;

– Shkurtimin e menjëhershëm të shpenzimeve operative të qeverisjes qendrore me të paktën 25% të buxhetit të planifikuar për këtë zë për vitin buxhetor 2022;

– Dyfishimin e menjëhershëm të ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë dhe jo thjesht trajtimin financiar të tyre për një periudhë afatshkurtër 3-mujore;

– Rritjen e menjëhershme të pensioneve me dyfishin e indeksimit të parashikuar nga vetë qeveria, duke filluar nga 1 Prill 2022;

– Rritjen e pagës minimale në masën 36,000 (tridhjetë e gjashtë mijë) lekë në muaj duke filluar nga 1 Prill 2022;

– Pezullimin e menjëhershëm të pagesave buxhetore për PPP-të dhe koncesionet, veçanërisht ato të cilat janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për veprimtari korruptive;

– Rritjen e subvencionimit ndaj fermerëve në masën 100 milion euro/vit me qëllim rritjen e prodhimit dhe uljen e kostove të tyre, për t’i bërë produktet shqiptare konkurruese në rajon;

– Kryerjen e një hetimi të thelluar dhe gjithëpërfshirës nga Autoriteti i Konkurrencës, si dhe marrjen e masave urgjente në përputhje me ligjin nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”;

– Raportimin nga Autoriteti i Konkurrencës përpara Kuvendit të Shqipërisë brenda një afati 30-ditor nga data e miratimit të kësaj rezolute, lidhur me konkluzionet e hetimit, masat e marra dhe zbatimin e tyre në praktikë”.