Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar për operacionin në Kadastrën e Sarandës, ku pati disa arrestime.
Gjatë fjalës së tij në një deklaratë për mediet, Manja tha se hetimi përfshin ish-zyrtarë dhe zyrtarë të Kadastrës dhe ka ardhur pas denoncimit të një qytetari.
Ai paralajmëroi zyrtarët dhe ish-zyrtarët e administratës shtetërore që mmos të ndihen të sigurtë dhe “as ta bëjnë gjumin e qetë” nëse kanë abuzuar me detyrën.
“Dje në Sarandë Forcat Ligjzbatuese kanë vënë në pranga disa zyrtarë dhe ish-zyrtarë abusues të Kadastrës. Gjithçka pas një kallëzimi vetëm pak ditë më parë nga Drejtoria Antikorrupsion, pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe që ne e kemi bërë publik edhe këtu përpara jush.
Më lejoni të uroj Prokurorinë e Sarandës për shpejtësinë dhe efektivitetin. Është i dyti rast ky pas arrestimit të zyrtarëve të AKU-së në Fier. Besoj dhe shpresoj fort se ka nisur një erë e rë në bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e agjencive ligjzbatuese në vend me oerganet e reja të drejtësisë në Shqipëri. Unë e nxis Prokurorinë të vazhdojë të rrisë performancën e saj për të tjera kallëzime që janë dorëzuar nga Drejtoria Antikorrupsion.
Asnjë zyrtar dhe ish-zyrtar abuzues me detyrën e shtetit, tashmë nuk duhet të ndihet i sigurtë dhe as ta bëjë gjumin e qetë.
Së dyti dua të falenderoj qytetarët që denoncojnë. Hetimi, kallëzimi dhe aksioni i djeshëm ka ardhur pas denoncimit të një qytetari. Por dua gjithashtu të ftoj qytetarët që denoncimet nuk duhet t’i bëjnë vetëm kur ata nuk zgjidhin hall, por menjëherë sapo zyrtarët i shtyjnë në korrupsion apo nuk iu japin shërbimet që u takojnë sipas ligjit.”– tha Manja.