Vendosni fjalën kyçe....

India anulon vizitën e delegacionit britanik që po shkonte t’i kërkonte një përgjigje më të ashpër ndaj Rusisë


Një vizitë e një delegacioni të rangut të lartë të Mbretërisë së Bashkuar në Indi, i përbërë nga anëtarë të partive të ndryshme politike dhe i udhëhequr nga kryetari i Dhomës së Komunëve, Sir Lindsay Hoyle, u anulua në momentin e fundit nga autoritetet indiane, raportoi të enjten The Guardian.

Sipas artikullit, delegacioni i dhjetë zyrtarëve të lartë britanikë kishte qenë në diskutime me Indinë që nga janari dhe kishte plane për të vizituar Nju Delhin dhe Rajasthanin. Qëllimi fillestar i delegacionit thuhet se ishte të diskutonte një marrëveshje të tregtisë së lirë Britani-Indi, por objektivi ndryshoi në kontekstin e ofensivës ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Delegatët po planifikonin të bindnin Nju Delhin të mbante një qëndrim më të ashpër ndaj Moskës, tha The Guardian.

Më pas u raportua se Komisioni i Lartë Indian ndryshoi vendimin e tij dhe ngriti kundërshtime në minutën e fundit. Është e paqartë nëse zyrtarët indianë kishin probleme me anëtarët individualë të delegacionit apo ishin të shqetësuar në përgjithësi për anëtarët e parlamentit britanik që kërkuan të bindin kryeministrin indian të ndërmarrë veprime kundër Rusisë, raportoi The Guardian.

India deri më tani nuk ka vendosur sanksione dhe as ka denoncuar Moskën për sulmin ushtarak ndaj Ukrainës dhe vazhdon të blejë naftë ruse pavarësisht presionit nga komuniteti ndërkombëtar. India ka hezituar të ndërpresë lidhjet me Rusinë dhe tani për tani po diskuton mekanizmat për të kaluar në tregtinë rubla-rupi.