Vendosni fjalën kyçe....

“Bullgaria do e paguajë gazin në rubla, ‘me hir ose me pahir’, shqetësimet e Serbisë prioriteti ynë kryesor” – Rusia


Rusia adresoi shqetësimet e vendeve evropiane të enjten në lidhje me planin për të ndryshuar monedhën e pagesës për dërgimin e gazit nga euro në rubla.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se vendimi i Moskës do të krijonte shumë probleme. Ai shpjegoi se Bullgaria, vendi përmes të cilit furnizohet me gaz Serbia e Hungaria, ka deklaruar mosgatishmërinë e saj për të kaluar në rubla në pagesat e gazit.

Në përgjigje, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të enjten se çështja është mbyllur dhe Bullgaria do të duhet të paguajë në rubla ‘do apo nuk do’.

Megjithatë, ai adresoi shqetësimet e Serbisë, duke vënë në dukje se vendi ka abstenuar nga çdo akt apo koment armiqësor kundër Rusisë në lidhje me Ukrainën.

“Kjo nuk vlen për Serbinë. Problemi mbetet për t’u zgjidhur dhe natyrisht, shqetësimet e Serbisë do të jenë prioriteti ynë kryesor”, tha Peskov.

“Është absolutisht normale, Vuçiç ka të drejtë, kjo mund të jetë vërtet një situatë problematike, sepse në këtë rast, Bullgaria ndërmori hapa armiqësor kundër nesh, kështu që ata do të duhet të paguajnë në rubla, duan apo jo.” – tha Peskov.

Në përgjigjen e parë të madhe ndaj sanksioneve perëndimore, presidenti rus Putin njoftoi të mërkurën se Rusia tani e tutje do pranojë pagesën për eksportet e gazit ndaj ‘vendeve jomiqësore’ vetëm në rubla.