Në vitin 2021, emigrantët që jetojnë e punojnë jashtë vendit dërguan tek të afërmit e tyre në Shqipëri 761 milionë euro, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.
Ky është niveli më i lartë që nga viti 2009.
Në krahasim me një vit më parë, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë dhe mbylljes së Europës, remitancat janë rritur me 13%. Në krahasim me periudhën përkatëse normale të 2019-s, zgjerimi është gati 9%.
Në krahasim me vitin e mëparshëm, rritje e lartë është shënuar përgjatë gjithë tremujorëve, por më e fortë ishte në tremujorin e dytë, teksa në 2020-n për shkak të bllokimit të menjëhershëm të lëvizjeve u shënua një tkurrje e ndjeshme e fluksit të parave që emigrantët dërgojnë në vend.
Sipas tremujorëve, niveli më i lartë i tyre u shënua në korrik-shtator, me 200 milionë euro, dhe në tremujorin e fundit me 222 milionë euro, që përkojnë me periudhën e verës dhe fundin e vitit, kur shumë emigrantë vijnë për pushime.
Italia dhe Greqia vijojnë të mbeten kanalet kryesore të dërgimit të parave në vend, për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që jetojnë e punojnë në shtetet fqinje. Por, vitet e fundit, po rriten edhe prurjet nga vendet e reja të emigrimit, kryesisht Mbretëria e Bashkuar dhe sidomos Gjermania. Aktorët e tregut pohojnë se Gjermania, për vetë faktin që është në tipologjinë e një vendi me emigracion të ri, gjatë viteve të fundit ka qenë në një rritje konstante.
Të dhënat tregojnë se pas 2009-s, paratë që emigrantët dërguan në shtëpi erdhën në rënie, duke reflektuar ciklin e parë të emigracionit, kur pas 10-15 vitesh, të ikurit fillojnë e shkëputin lidhjet me vendin mëmë. Por, pas 2013-s, tendenca iu kthye sërish rritjes, për shkak të valës së dytë të ikjes, që kulmoi në vitin 2016, por vijon të jetë e lartë edhe sot, sipas të dhënave indirekte nga kërkesat për azil dhe lejet e qëndrimit që jepen nga vendet e Bashkimit Europian. Pasi janë sistemuar me punë, emigrantët e rinj fillojnë të dërgojnë para tek të afërmit e tyre në Shqipëri.
Sipas të dhënave të tjera të Eurostat, që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Numri më i lartë i lejeve të qëndrimit është dhënë në periudhën 2008-2009, me përkatësisht 97.3 mijë dhe 83.9 mijë, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të fillim viteve 2000. Më pas fluksi erdhi në rënie, duke zbritur në rreth 30 mijë në vitin 2013. Pas kësaj periudhe, rigjallërimi i ciklit të emigracionit, që tregohet dhe nga shtimi i ndjeshëm i kërkesave për azil solli një tjetër rritje të lejeve të qëndrimit, që kulmoi në vitin 2019, me rreth 60.4 mijë të tilla.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al