Vendosni fjalën kyçe....

Soreca për çeljen e negociatave: Koha për dasmë ka ardhur, unazat janë gati


Ambasadori në ikje i BE-së, Luigi Soreca, ka thënë sot se palët politike duhet të bashkëpunojnë për sa i përket integrimit.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit ai tha se koha për dasmë ka ardhur dhe se unazat janë gati për sa i përket çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Në fund ai tha se do kthehet sërish në Shqipëri, kësaj here si qytetar i thjeshtë, si Luigi Soreca.

“Duhet të gjejnë bashkëpunim politik, për atë që është përparësia, që është integrimi, debati politik duhet të jetë pikërisht këtu. Do sjellim ekspertë në Shqipëri për të përgatitur ekipin shqiptar, largimi im nuk do të ndryshojë asgjë nga angazhimi i plotë i delegacionit. Kam udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, kam bërë mijëra kilometra, mund të jem personi që ka udhëtuar më shumë në Shqipëri dhe gjithandej e kam kuptuar që njerëzit e kanë kuptuar që është prioritet është integrimi në BE. Koha për dasmë ka ardhur tashmë, unazat janë bërë gati, vendet anëtare e dinë se çfarë duan, duan që të çelen negociatat për anëtarësim. Do të kthehem në Shqipëri ndoshta me një detyrë tjetër, po do kthehem si një qytetar i thjeshtë, thjesht si Luigi Soreca.” – tha Soreca.