Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në një dalje për mediet pas mbledhjes së sotme të kabinetit qeveritar, u pyet nga gazetarët në lidhje me kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e deputetit socialist, Alqi Bllako.
Manja tha se çështja për të cilën po pyetej i takon drejtësisë dhe se kush shkel ligjin duhet të mbajë përgjegjësi individuale.
“Në fakt pyetja juaj ka të bëjë me çështjet e drejtësisë dhe qëndrimi i qeverisë dhe i Partisë Socialiste sa herë ka të bëjë me çështjet e drejtësisë ka qenë i qartë.
Çështjet e drejtësisë janë çështje të drejtësisë, ne e inkurajojmë drejtësinë që të kryejë hetime të shpejta dhe objektive për çështje sensitive dhe që i përgjigjen interesit publik.
Ne kemi ndërmarrë si qeveri dhe si Parti Socialiste një nga kryereformat e këtyre 30 viteve që është Reforma në Drejtësi.
Dhe ne kemi qenë të bindur kur e kemi marrë këtë Reformë në Drejtësi. Sot më shumë se kurrë sepse kjo ishte aspirata e 99% të shqiptarëve, për të patur një drejtësi të pavarur, një drejtësi të ndershme dhe që i përgjigjet nevojave të qytetarëve. Çështjet e Drejtësisë janë çështje të drejtësisë. Kushdo që shkel ligjin përgjegjësia penale është individuale. PS është PS, është lokomitava qeverisëse në Shqipëri, është partia që është votuar nga 800 mijë shqiptarë për të qeverisur. Ka pyetje të tjera? Faleminderit!”- u shpreh Manja.
Kujtojmë se një ditë më parë SPAK kërkoi nga Kuvendi autorizim për arrestimin e deputetit të PS-së, Alqi Bllako, si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit. Pas kësaj, Bllako reagoi duke njoftuar se ka vendosur të mos presë Kuvendin por ta dorëzojë vetë mandatin dhe do pranojë gjykimin si qytetar i thjeshtë.
Bllako shkruante se një proces i paparagjykuar do provonte që është i pafajshëm dhe shprehej i bindur se nuk ka shkelur ligjin gjatë ushtrimit të detyrës së tij.