Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Kumbaro: Sot miratuam projektligjin për zgjatjen e moratoriumit të gjuetisë për pesë vite


Qeveria ka miratuar zgjatjen e moratoriumit të gjuetisë edhe për pesë vite të tjera. Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së sotme të kabinetit qeveritar, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u shpreh se ka pasur rezultate domethënëse nga ndalimi i gjuetisë në vitet e mëparshme.

“Përshëndetje, në mbledhjen e sotme të qeverisë miratuam një projektligj të ri, i ri si projektligj por në vazhdim të dy projektligjeve të tjera të cilave iu kishte mbaruar afati dhe është konkretisht shpallja e moratoriumit të gjuetisë për 5 vitet në vijim nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Publiku dhe media janë tashmë të njohura me faktin se ka pasur dy ligje më parë për vitin 2014-2016 dhe një tjetër ligj për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në vitet 2016-2021 të cilit i mbaroi afati vitin e kaluar. Konstatojmë të gjitha efektet pozitive të këtyre dy masave të marra në mandatin e parë e të dytë në lidhje me faunën e egër sidomos për shpendët e egër. Në censusin e zhvilluar që nga viti 2016 është konstatuar një rritje e ndjeshme e llojit të shpendëve të egër dhe faunës së egër, si edhe një ndërgjegjësim i popullatës falë një komunikimi të shtuar nga ambientalistët dhe shoqata e ndryshme të faunës dhe mjedisit.”– tha Kumbaro.

Sipas saj, në vitin 2016 në censusin e zhvilluar janë konstatuar rreth 60 mijë shpendë të egër në habitatet e ekosistemit shqiptar, ndërsa në vitin 2021 ishin rreth 140 mijë individë të tillë.

Kjo është shtyrja e dytë që i bëhet këtij moratoriumi që nisi në vitin 2014, ndërsa në fund të vitit 2016 u vendos që të shtyhej për herë të parë me të paktën pesë vjet.