Vendosni fjalën kyçe....

Përgjegjësi individuale! Seriozisht?


Nga Lutfi Dervishi

Arrestohet një (ish) ministër, një deputet, x zyrtarë të lartë, y persona nga biznesi dhe prapë flasim për përgjegjësi individuale?!

Edhe pjesa e dukshme e “ajsbergut” të incineratorëve na tregon se krimi nuk paska kapur individin, por strukturat shtetërore, ka ndërhyrë në kompetencën e institucioneve, ka manipuluar procedurat, ka neutralizuar institucionet dhe ka përlarë mbi 100 milionë euro.

Nuk ka lindur mbi dhé deri më sot një individ kaq i zoti sa t’i bëj këto gjëra vetëm. Krimi këtu është në bashkëpunim dhe në bashkëpunim shembullor.

Sigurisht ka krime individuale, por ka edhe krime në bashkëpunim, me dy a më shumë vetë, në kuadrin episodik. Sikundër ka edhe grup të strukturuar kriminal e deri në organizatë kriminale, në kuadrin e konceptimit, organizimit, qëndrueshmërisë e kohëzgjatjes në kohë, qëllimit të përfitimit etj.

Dhe secili përgjigjet sipas rolit dhe ndikimit në krim.

Pa harruar që edhe ligji ynë (neni 28 i kodit penal, format e veçanta të bashkëpunimit) bën dallim të qartë mes organizatës kriminale…

si…” forma më e lartë e bashkëpunimit, në të cilën bëjnë pjesë tre ose më shumë persona dhe që dallohet nga shkalla e veçantë e organizimit, strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes, si dhe nga qëllimi për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale”.

…dhe grupit të strukturuar kriminal

që “është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale”.

Incineratorët janë modeli më i kulluar dhe i trashë i fajësisë individuale dhe përgjegjjësisë të më shumë se një personi.

Ideim profesional, zbatim amatoresk. Përfundim tragjik.