Nga Dajana Dobrozi
Në një seancë rreth 7 orarëshe të tjera detaje të paprecedenta u zbuluan lidhur me procesin e rivlerësimit që po i bëhet prokurores së Tiranës, znj.Elisabeta Imeraj.
Seanca nisi me mbrojtjen që avokati që ka ardhur nga Strasburgu Gregori Twan bëri për zonjën Imeraj, i cili u tha trupës gjyqësore se duhet të bazohen në fakte dhe jo në burime anonime.
Po ashtu ai akuzoi vëzhguesin e ONM-së Theo Jacobs se kishte qenë treguar i njëanshëm.
“Vëzhguesi Jacobs po mban anë”- kështu tha avokati. Seanca vijoi me parashtrimet e zonjës Imeraj, shtrim të pyetjeve nga ana e avokatit mbrojtës së saj ndaj Komisionerit Publik si dhe konkludoi me një seri pyetje-përgjigje nga ana e vëzhguesit të ONM-së ndaj zonjës Imeraj si subjekt i rivlerësimit.
Rivlerësimi u kërkua bazuar në “burime anonime”
Mbrojtja u shpreh se ankimimi i ONM-së është bazuar në 3 denoncime të rreme: Njëra nga një person me probleme të shëndetit mendor E.F, tjetra nga një person që nuk ekziston me emrin Valentino Ymeri, si dhe një tjetër person anonim Rrahim Shehu, që u përmendën edhe në seancën e kaluar.
Vetë znj.Imeraj theksoi se kishte kërkuar informacione ligjërisht në institucionet përkatëse për këta persona, por ata kanë rezultuar që ishin vetëm persona anonimë.
Avokati i huaj u ndal specifikisht në deklaratën e vëzhguesit të larguar, Hans Kijlstra të ONM-së lidhur me pretendimet se prokurorja Imeraj e ka përgjuar atë.
“E gjej deklaratën e Hans intimiduese. Është bazuar thjesht në burime anonime që do të thotë burime jo të besueshme.”- thotë avokati lidhur me deklaratën e Kijlstras për një denoncim anonim që kishte marrë se ishte fotografuar në kafene me disa bashkëpunëtore shqiptare të tij, gra, të cilat pretendohej të paraqiteshin si “të dashura”.
Vetë Imeraj u shpreh e habitur se si Jacobs dhe Kijstra e kanë marrë për bazë këtë denoncim anonim, pa e konfirmuar atë dhe duke e raportuar si “gjetje”.
Paragjykime krahinore
Znj.Imeraj pretendon se ajo është paragjykuar për shkak të origjinës së saj nga Veriu dhe lexoi disa mesazhe për ta konfirmuar këtë.
Sipas saj komisionerja e shkallës të parë Genta Bungo, kërkonte shkarkimin e prokurores së Tiranës për shkak se ishte “maloke”.
“Zonja Genta Bungo ka një paragjykim të tmerrshëm për subjektin e rivlerësimit. Ajo u përgjigj duke qeshur: ‘Çfarë të duhet, një maloke më pak? Madje nga Tropoja. Pupupupu! Unë u largova se ajo ishte eprorja ime.’.” –deklaroi Imeraj duke lexuar mesazhin.
Ajo shton se në vitet e mëparshme i ka ndodhur të intimidohej për shkak të prejardhjes, por nuk e priste që në një proces ligjor të stigmatizohej në mënyrë të tillë.
Imeraj lexoi të tjera mesazhe e më pas u shpreh: “Ish-komisionerja paska patur një ngarkesë më të madhe patologjike për shkak të prejardhjes sime prej Veriu?!”
”Presion në SHISH?!”
Imeraj lexoi një tjetër mesazh të një punonjëseje të institucionit të KPK-së që i shkruante ish-kryetares: “As nuk kishit bërë presion në SHISH për Imerajn, as në DSIK”. Sipas saj kërkoheshin informacione që diskreditonin prokuroren, qoftë edhe në Shërbimin Informativ të Shtetit.
“Unë s’mund ta kuptoj si mund të bëhet presion në SHISH”- u shpreh Imeraj në seancë para trupës gjykuese.
Përdorimi i jetës personale
Një nga temat më të përmendura në seancë ishte lidhja dhe zgjidhja e martesës së zonjës Imeraj me ish-bashkëshortin e saj, gjë të cilën ajo e konsideron se bie në kundërshtim me çdo parim që i garanton ruajtjen e privatësisë.
“Një gjetje për zgjidhjen e martesës, në kundërshtim me parimin e ruajtjes së privatësisë. Është bërë objekt jo vetëm shqyrtimi, por edhe diskutimi, parashtrimi, mediatizimi në mënyrë të panevojshme.”- tha Imeraj. Ajo u detyrua të jepte shpjegime mbi pasojat e zgjidhjes së martesës që sipas saj ishin vetëm kujdestarinë e fëmijëve dhe detyrimin ushqimor.
Mendimet personale të vëzhguesit të interpretuara si fakte
Një nga shqetësimet kryesore të avokatit nga Strasburgu ishte se pse Komisioneri Publik i ka trajtuar mendimet e vëzhguesit ndërkombëtar si fakte. Por Komisioneri publik u përgjigj që është Kushtetuta që ia njeh si detyrë vëzhguesit të paraqesë gjetjet e tij dhe se gjetja e vëzhguesit është “provë në cilësinë e mendimit që jep eksperti”. Për këtë arsye komisioneri thotë se është “detyruar t’i referohet si prova të paraqitura nga një ekspert”.
Por këtu Imeraj kujtoi se vërtet vëzhguesi ka detyrim të parashtrojë gjetjet e veta por duhet të paraqesë fakte, rrethana dhe t’i referohet standardeve ligjore. Gjë që sipas saj nuk ka ndodhur pasi Jacobs është ndalur vetëm në “denoncimet anonime” dhe mendimet e tij personale e nuk ka verifikuar rrethanat, faktet dhe standardet ligjore.
Paragjykime nga mbiemri i ish-bashkëshortit
Denoncimi i shtetasit anonim Rrahim Shehit ndaj prokurores Imeraj arrin deri aty sa që për shkak të mbiemrit të ish-bashkëshortit e konsideron atë “nuse” të një grupi kriminal.
“Rrahim Shehu për shkak të mbiemrit e lidh ish-bashkëshortin tim me një grup kriminal dhe arrihet deri aty sa më konsiderojnë si nuse të këtij fisi, Bajri. Ky perceptim është krijuar dhe hedhur gjatë procesit tim të rivlerësimit, gjë e cila nuk është e vërtetë dhe nuk ka asnjë lidhje as fisnore, as familjare e as krushqie me këtë grupim kriminal.”- thotë Imeraj e cila thekson se ka disa fise me këtë mbiemër në vendin tonë dhe jo vetëm ai i fisit të “famshëm”.
Si përfundim pas afro 7 orësh seanca u shty për nesër në orën 11:00, ku do vijohet me pyetje-përgjigjet, ndërsa pritet të mungojë avokati i huaj i Imerajt, i cili u shpreh se e kishte të pamundur pjesëmarrjen./ Hashtag.al