Aktori amerikan Will Smith ka dhënë dorëheqjen nga Akademia e çmimeve Oscar, pasi goditi në skenë komedianin Chris Rock gjatë ceremonisë së të dielës së kaluar.
“Unë po jap dorëheqjen nga anëtarësimi në Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Filmit dhe do të pranoj çdo pasojë të mëtejshme që Bordi i konsideron të përshtatshme.“- thuhet në deklaratën e tij sipas CNN.
“Ndryshimi kërkon kohë dhe unë jam i përkushtuar të bëj punën për të siguruar që kurrë më të mos lejoj që dhuna të kapërcejë arsyen.”– përfundon ai.
Pas episodit të turpshëm në ndarjen e çmimeve Oscar të dielën mbrëma, Akademia njoftoi të mërkurën se kishte “filluar procedura disiplinore” kundër Smith.
David Rubin, President i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit, tha në një deklaratë të premten se organizata ka marrë dhe ka pranuar “dorëheqjen e menjëhershme” të Smith.
“Ne do të vazhdojmë të ecim përpara me procedurat tona disiplinore kundër z. Smith për shkelje të Standardeve të Sjelljes së Akademisë, përpara takimit tonë të ardhshëm të planifikuar të bordit më 18 prill.”- shtoi Rubin.
Duke dhënë dorëheqjen, Smith nuk do të jetë më në gjendje të votojë për filmat dhe shfaqjet e nominuara çdo vit për Oscar. Puna e tij, megjithatë, do të jetë ende e pranueshme për shqyrtimin dhe nominimet e ardhshme.