Vendosni fjalën kyçe....

Një maloke më pak – Komisioneri kundër Diskriminimit lan gojën me një deklaratë publike


Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda, ka reaguar përmes një deklarate lidhur me mesazhin e anëtares së Vettingut në KPK, Genta Bungo, e cila shprehej se nuk është problem shkarkimi i prokurores Elisabeta Imeraj, pasi do ishte vetëm “një maloke më pak”.

Gajda shpreh keqardhje për paragjykimet që ushqejnë organet shtetërore shqiptare dhe udhëzon shmangjen e tyre.

“Institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi udhëzon shmangien e paragjykimeve dhe përkatësive, në vlersimin e personalitetit njerëzor dhe profesional.”– thuhet në reagimin për mediet.

Ama, Komisioneri nuk ka thënë në këtë reagim se çfarë masash do marrë.

Kujtojmë se në seancën e së enjtes të rivlerësimit të saj, prokurorja Imeraj paraqiti një sms të komisioneres së shkallës të parë Genta Bungo, që sipas saj zbulonte si ishte paragjykuar për shkak të prejardhjes nga Bungo. 

Mesazhi tregonte se komisionerja Genta Bungos kishte thënë për Imerajn se nuk nuk ka problem nëse shkarkohet duke e etiketuar “një maloke më pak”.

“Zonja Genta Bungo ka një paragjykim të tmerrshëm për subjektin e rivlerësimit. Ajo u përgjigj duke qeshur: ‘Çfarë të duhet, një maloke më pak? Madje nga Tropoja. Pupupupu! Unë u largova se ajo ishte eprorja ime.’.” –deklaroi Imeraj duke lexuar mesazhin.

REAGIMI I PLOTË

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi u njoh përmes mediave online dhe sinjalizimeve në rrjetet sociale, me një mesazh me përmbajtje diskriminuese nga anëtarë të organeve rivlerësuese të drejtësisë.
Institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh keqardhjen për paragjykimet dhe vlerësimet e personave për shkak përkatësie dhe jo aftësie. Akoma sot, paragjykimet dhe mendësitë diskriminuese ushqejnë organet shtetërore shqiptare dhe shoqërinë.
Institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi udhëzon shmangien e paragjykimeve dhe përkatësive, në vlersimin e personalitetit njerëzor dhe profesional.
Ushqimi i steriotipeve në përditshmëri është i papranueshëm dhe bëhet shkak i sjelljeve diskriminuese.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nxit qytetarët t’i drejtohen zyrës së KMD të sinjalizojnë situata diskriminuese, pasi Ligji ju mbron.