Rriten çmimet e produkteve të përpunimit të mishit të pulës.
Prej dy ditësh në dyqanet e pakicës në vend çmimet për produktet, si: fileto, salsiçe dhe kremviçe pule janë rritur nga 9 deri 14%.
Në dyqanet e produkteve ushqimore një pako salsiçe pule në paketim të vogël të kompanisë “FIX PRO” nga 210 lekë po tregtohet 240 lekë (rritja 14,2%), paketim i mesëm nga 220 lekë po tregtohet 240 lekë (rritja 9%), ndërsa çmimi i kremviçeve në paketim të vogël nga 100 lekë po tregtohen 110 lekë (rritja 10%).
Përfaqësues të kompanisë FIX PRO të kontaktuar nga “Monitor” thanë se për produktet e pulës ka rritje mesatare të çmimeve 10% e ndikuar nga shtimi i kostove të lëndës të parë dhe produkteve të tjera.
Sipas tyre rritja e çmimit është ndikuar nga shtrenjtimi i lëndës të parë, mishit të shpendëve që vjen nga importi. Shqetësim për prodhuesit e produkteve të sallamit është edhe rritja e çmimit të energjisë, naftës, gazit, ambalazhimit dhe plastikës.
“Rritja e çmimeve është ndikuar nga rritja e mishit të importit që vjen nga jashtë. Aktualisht çmimi i mishit të pulës të importit është rritur 12,5 % nga 400 lekë për kg që ishte në muajin janar është 450 lekë për kg.
Para muajit janarit çmimi i mishit të pulës ishte 50 deri 100 lekë më pak për kg. Jashtë ky produkt, por edhe të tjera po gjenden me shumë vështirësi. Në shtimin e kostove kanë ndikuar e çmimi 3-fish më i lartë i energjisë, 2-fishimi i çmimit të gazit që përdorim në fabrikë, si dhe shtrenjtimi i lartë i çmimit të naftës. Çmimi të lartë ka pasur edhe për lëndët ambalazhuese, plastikës etj”, veçojnë drejtues të kompanisë.
Përveç çmimeve të larta prodhuesit e produkteve të sallamit pohojnë se janë në vështirësi për lëndën e parë të produktit të mishit të pulës. Aktualisht kompania ka mbajtur të pandryshuar çmimet e produkteve të përpunuara të mishit të viçit, por edhe për këtë produkt po hasen në vështirësi të gjetjes të lëndës të parë.
Për prodhimin e produkteve të sallamerisë nga mishi i pulës prodhuesit vendas pohojnë se për përgatitjen e formulës furnizimin me lëndë të parë e kryejnë nga importi dhe nuk përdorin mishin e shpendëve të stabilimenteve në vend.
Rritje të çmimeve për këto produkte pritet të ketë edhe nga operatorë të tjerë të tregut. Sakaq sipas të dhënave të Ministrisë të Bujqësisë në vend për 2020 është prodhuar 4,005 ton mish i freskët shpendësh dhe 1,584 ton mishi i ngrirë i shpendëve. Prodhimi i mishit të freskët të shpendëve në 2020 ishte 33,3% më pak se 2019. Në raport me vitin 2013 prodhimi ishte 18% më shumë. Rënie për 2020 pati edhe për prodhimin e mishit të ngrirë të pulës rreth 3% më shumë se në 2019. Krahasuar me vitin 2013 prodhimi në 2020 u rrit 43%.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor