Deputeti Edi Paloka ka reaguar lidhur me takimin e sotëm të ambasadores së SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim me Enkelejd Alibeajn, të cilin diplomatja e njohu si kryetar në detyrë të PD-së.
Paloka e cilësuar si të “turpshme” mosnjohjen e vendimit të Gjykatës nga ana e ambasadores, duke thënë se po shkel jo vetëm ligjet shqiptare, por duke mos njohur vendimet e gjykatave shqiptare nuk respekton as Konventën e Vjenës.
Ai e akuzon ambasadoren Kim se është angazhuar në vetë të parë për “përçarjen” e opozitës.
“Ky është më tepër se turp, është shkelje e jo vetëm çdo etike por dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë!
Kjo zonja që uroi Ramën për ‘fitoren historike’ pa mbaruar akoma procesi zgjedhor më 25 prill; që ka dalë hapur në mbështetje të qeverisë më të korruptuar në rajon (siç e cilëson vetë Departamenti Amerikan i Shtetit) dhe që prej kohësh është angazhuar në vetë të parë në përcarjen e opozitës shqiptare, sot ka ndërmarrë një akt të fundit, gjithnjë në shërbim të të njëjtit qëllim.
Zonja ambasadore, me arrogancë, tregon se jo vetëm nuk respekton Konventën e Vjenës po nuk njeh as vendimet e gjykatave shqiptare megjithëse flet gjithë kohën për drejtësinë.
Ti zonjë mund të takosh kë të duash dhe si të duash, po nuk mund të vendosësh mbi gjykatat shqiptare e sidomos mbi vullnetin e lirë të demokratëve shqiptarë!”– shkruan Paloka.