Vendosni fjalën kyçe....

Fidel Ylli: Qeveria t’i thërrasë mendjes dhe të hapë bastet


Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli në një intervistë për emisionin “Sport Zone” në MCN TV, i bëri thirrje qeverisë që të hapë kompanitë e basteve pasi vetëm ashtu lehtësohet sporti.

Ylli e quajti të turpshëm vendimin për uljen e buxhetit të sportit dhe për këtë arsye, njoftoi se ditën e premte do të mblidhen të gjitha Federatat për të folur me qeverinë.

“Sot në zyrën time kanë qenë mbi 20 federata. Buxheti i sportit është ulur në mënyrë drastike këtë vit është diçka katastrofale. Është ulur me 1 miliardë lekësh. Do mblidhemi dhe t’i bëjmë të ditur qeverisë, se ky që kanë bërë me buxhetin e sportit është një turp. Unë nuk e filloj projektin, nëse qeveria nuk i kthen dinjitetin sportit. Nuk ka para qeveria?! Le të hapen bastet sportive atëherë, që lulëzojnë në këtë moment. Greqia ka, Italia ka. Duhet të bashkohemi që t’i bëjmë presion qeverisë, për t’i dhënë sportit atë që meriton”-theksoi Presidenti i KOKSH-it.

Sipas Yllit qeveria t’i thërrasë mendjes dhe të hapë kompanitë e basteve, në mënyrë që të rritet edhe buxheti për sportin.

“Kjo nuk i falet as parlamentit asnjërit, që e ulën buxhetin me 1 miliardë lekë. Nuk e kuptoj se çfarë ka ndodhur. Do detyrohen të na i kthejnë ato lekë. Ne nuk duam të bëjmë grevë, që të na dëgjojë qeveria. I duam si partnerë. Duam të na dëgjojë, të na thotë se kompanitë e basteve do i hapin. Buxheti do rritet kur qeveria t’i thërrasë mendjes dhe të hapë kompanitë e basteve. Buxhetet janë mjerane dhe ne nuk mund të bëjmë dot me këto. Sportin e lehtëson vetëm hapja e kompanive të basteve”-tha Ylli.