Avokatja e Popullit Erinda Ballanca ka thënë sot se zonjat që marrin pjesë në politikë përjetojnë shumë vështirësi.
Ajo e bëri deklaratën gjatë prezantimit të studimit të UNDP me temë ‘Dhuna ndaj grave në politikë’.
Ballanca theksoi se ka shumë punë për t’u bërë për të mos pranuar sjellje të dhunshme apo gjuhë denigruese ndaj grave në politikë.
“Kur lexova raportin u ndjeva krejt e pafuqishme pasi edhe perceptimi im lidhur me dhunën në bazë gjinore nuk e kisha kuptuar në çfarë shkalle zonjat që janë në politikë e ndjejnë çështjen e të qenit gra dhe të shkuarit përpara.
Të dhënat e këtij raporti tregojnë se çfarë shoqëria jonë u bën grave që janë në politikë. E shoh se vërtet zonjat që marrin pjesë në politikë kanë një vështirësi të madhe në mënyrën si priten nga shoqëria. Kemi shumë për të bërë për të mos pranuar sjellje të dhunshme apo gjuhë denigruese, apo nënvlerësim që e bëjnë cilëndo grua të mos e vijojë kontributin e vet, të mos kandidojë. Politika shqiptare ka nevojë për gratë që të jetë më e mirë.” – tha Ballanca.
Duhet thënë se Avokatja e Popullit nuk ka ende një qëndrim lidhur me diskriminimin krahinor të shfaqur në procesin e vetingut ndaj prokurores Elisabet Imeraj.
Gjatë procesit, ish-kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Genta Bungo ka kërkuar shkarkimin e Imerajt duke qenë se largimi i saj do ishte ‘një maloke’ më pak.