Vendosni fjalën kyçe....

Kalimi i padeklaruar i “cash”-it, shumica tentuan nga Rinasi, 36 raste në 2021-in


Në vitin 2021 numri i rasteve të kapura duke tentuar të kalojnë para “cash” të padeklaruara mbi limitin që njeh legjislacioni ishte 36.

Ky numër ishte më i ulët sesa në vitin 2020 por Drejtoria e Përgjithshme e Doganave argumenton se kufizimet e vendosura për shkak të COVID-it kanë ndikuar në uljen e tendencës.

“Në vitin 2021, gjatë kontrolleve të ushtruara nga Administrata Doganore në Pikat e Kalimit Kufitar janë konstatuar në total 36 raste të Mosdeklarimeve të Vlerave Monetare. Në vitin 2021 vërehet një ulje e rasteve të kapjeve si dhe të evidentimit të Raportimeve të Aktiviteteve të Dyshimta (RAD). Kjo rënie ka ardhur si pasojë e masave anti-Covid 19, pasi shumë shtete kanë kufizuar lëvizjen e lirë në territoret e tyre” thuhet në raportin e Doganave.

Ky i fundit detajon se rruga tokësore ka qenë ajo që ka pasur më shumë raste të kalimit të parasë ndërkohë që pika kufitare me më shumë raste ishte Rinasi përmes Aeroportit. Në shifra në rrugë tokësore janë tentuar të kalohen para në 20 raste të kapura, nga deti 4 dhe nga ajri 11.

Të marra në vlerë në total janë kapur 391,780 paund britanikë, 1,218,695 euro, 33,100 dollarë dhe 424,500 lekë.

“Numri më i madh i kapjeve/mosdeklarimeve të Cash është kryer në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, me shuma të cilat variojnë nga 12,000 GBP deri në 42,000 GBP” thuhet në raport.

Por nga janë vendet e origjinës nga ku është tentuar të futen para brenda vendit apo drejt të cilëve është tentuar të dërgohen para nga Shqipëria?

Greqia është edhe ajo që dominon me 13 raste ndërkohë që nga Britania e Madhe janë të paktën 10 raste, nga Italia janë 4 raste dhe pas nga Kosova dhe Mali i Zi me nga tre raste.

Doganat sqarojnë si pjesë e masave të Moneyval ka pasur një rritje të vigjilencës për kapjen e kalimit të parave “cash”.

“Si prioritet në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, në kuadër të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, dhe në zbatim të rekomandimeve të komitetit “Moneyval”, janë forcuar kontrollet mbi lëvizjen e parasë fizike (Cash), nëpërmjet pikave të kalimit kufitar.

Strukturat e Drejtorisë Antitrafik, në bashkëpunim me struktura të tjera të Administratës Doganore si dhe organeve të tjerë ligj zbatues kombëtar dhe ndërkombëtar, kanë rritur kontrollet në këto pika, me qëllim evidentimin dhe parandalimin e rasteve të lëvizjes së parasë cash nga grupet kriminale” thuhet në raportin e Doganave.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor