Pas mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë në një deklaratë për mediet ku ka folur edhe për postimin e ambasadores Yuri Kim dhe njohjen e Enkelejd Alibeajt nga ajo si kryetar i komanduar i PD-së.
Berisha i është përgjigjur edhe njëherë ambasadores Kim se ajo nuk ka tagër në ndërhyjë në punët e brendshme të PD-së.
“Kryetari i PD-së u shkarkua në datën 11 dhjetor me 4446 votat e delegatëve dhe 44 mijë votat e anëtarëve të saj në 18 dhjetor. Përveç anëtarëve të PD-së me votën e lirë, asnjeri cilidoqoftë ai, as guvernatorja as Zeusi Rama nuk kanë tagër për të emëruar kreun e PD-së.
Një përpjekje e dështuar për të ndërhyrë në shkelje flagrante të Konventës së Vjenës. Kam patur rastin të dërgoj dhe mesazhin e përsëris përsëri këtu, se as kryetarin e as Kryesinë nuk do mund ta përcaktojë dot kush për këtë parti, veç anëtarësia e saj.
Ai (e ka fjalën për Alibeajn) është kryetar i grupit parlamentar. Kërkesa e vetme është kjo, që vendimet e grupit të merren nga kryesia e grupit parlamentar dhe në raste të caktuara Komisioni i Rithemelimit mund të ndërhyjë por vija politike është e qartë.”– tha Berisha.
Ai u pyet edhe se cili është “negociatori” i ambasadores Kim që i shkoi atij në zyrë, por Berisha refuzoi ta bënte me dije.
“Një i dërguar privat është privat dhe unë s’mund ta bëj publike por ia kam bërë të qartë se s’mund të pranoj kurrë ndërhyrje për çështjet e kryetarit dhe asnjë çështje tjetër të brendshme në PD. E kam bërë të qartë se nuk pranoj ndërhyrje nga kurrkush.”-theksoi Berisha.