Enti Rregullator i Energjisë (ERE) sqaron për herë të parë gjerësisht arsyet se pse nuk mund të miratojë një çmim për energjinë që prodhohet nga inceneratorët pas djegies së mbetjeve.
Referuar një vendimi të vitit të shkuar dhe të pasqyruar në dokumentin e aktivitetit vjetor të institucionit, Enti nënvizon se shkak për moscaktimin e çmimit është bërë së pari tejkalimi i kapacitetit të instaluar dhe se dyti fakti se nuk disponohen të dhëna konkrete mbi kostot faktike të ndërtimit dhe operimit.
Në rastin konkret ERE i referohet inceneratorit të Elbasnit Albtek Energy sh.p.k.
“Lidhur me burimet e vogla të rinovueshme nga pjesa e biodegradueshme e mbetjeve të ngurta që shfrytëzojnë mbeturinat industriale, urbane dhe rurale edhe gjatë vitit 2021 ERE ka vijuar të trajtojë problematikën e lindur për përcaktimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike nga impianti i përpunimit të mbetjeve urbane të shoqërisë Albtek Energy sh.p.k me fuqi të instaluar 2850 KW” thuhet në raport.
Nëpërmjet korrespondencave të mbajtura gjatë periudhës 2020-2021 me shoqërinë Albtek Energy sh.p.k dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), ERE është shprehur se impianti për trajtimin e mbetjeve urbane dhe prodhimit të energjisë i shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, nuk është objekt i rregullimit të çmimit të shitjes së energjisë elektrike nga ERE sipas përcaktimeve të nenit 10 të Ligjit Nr. 7/2017 “Pёr Nxitjen e Pёrdorimit tё Energjisё nga Burimet e Rinovueshme” dhe VKM Nr. 27, datë 17.01.2018 “Për miratimin e metodologjisë për përcaktimin e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga gjeneratorët e vegjël me burime të rinovueshme nga pjesa e biodegradueshme e mbetjeve të ngurta, që shfrytëzojnë mbeturinat industriale, urbane dhe rurale”, sikurse kërkuar nga shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k.
Ky qëndrim është mbështetur në faktin se fuqia e instaluar prej 2850 kW e impiantit të shoqërisë “Albtek Energy”sh.p.k., referuar licencës së dhënë nga ERE, është mbi kufirin prej 2 MW, të përcaktuar në nenin 10 të Ligjit Nr. 7/2017 “Pёr Nxitjen e Pёrdorimit tё Energjisё nga Burimet e Rinovueshme” thuhet në raportin e ERE të vitit 2021.
I gjendur në këto kushte Enti sqaron se ka adresuar ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nevojën për miratimin e metodologjisë, e cila do të vihet në zbatim për rastin specifik të impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, i cili vjen si një investim në kushtet e partneritetit publik-privat.
Po kështu ndaj shoqërisë Albtek Energy shpk ka kërkuar vënien në dispozicion të kostove faktike të ndërtimit dhe operimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane, në qytetin e Elbasanit, si të dhëna të cilat do të mund t’i shërbenin ERE-s për të vlerësuar dhe analizuar lidhur me përcaktimin e çmimit të shitjes së energjisë elektrike të prodhuar nga Albtek Energy sh.p.k.. pas miratimit të Metodologjisë sipërcituar.
“Deri më tani, nuk janë paraqitur në ERE të dhëna faktike mbi kostot e ndërtimit dhe operimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane, në qytetin e Elbasanit, të shoqërisë Albtek Energy sh.p.k, si dhe ende nuk është miratuar një metodologji për llogaritjen e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme nga pjesa e biodegradueshme e mbetjeve të ngurta, që shfrytëzojnë mbeturinat industriale, urbane dhe rurale, e cila do të trajtonte rastin specifik të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k” sqaron ERE.
Teksa për impiantet e tjerë eolikë deri në 3 MW dhe fotovoltaikë deri në 2MW, ERE ka miratuar çmimet bazuar në kosto, për inceneratorin nxjerrja e një çmimi pa kostot faktike e ka bërë të pamundur arritjen në një çmim final.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor