Vendosni fjalën kyçe....

Fierza 269.78 metra, KESH po prodhon rreth 1/4 e konsumit në kaskadë


Situata në kaskadën e Drinit ka vijuar përmirësimin dhe të dhënat e fundit tregojnë se niveli i Fierzës ka shkuar në kuotën 269.78 metra.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bëri publike të dhënat këtë të premte ku niveli në liqenin e Hec Koman ishte 172.80 mmnd, dhe në Hec Vau Dejës 73.86 mmnd.

Nga ana tjetër prurjet në HEC Fierzë janë 400 m3/s, në HEC Koman 140 m3/s dhe HEC Vau i Dejës 10 m3/s.

Prodhimi ditor në kaskadë në të tre HEC-et është 5,469 MWh (ditor) duke përbërë rreth 1/4 e sasisë së konsumit në vend ndërkohë që rezerva energjetike është 490 GWh.

Përmirësimi i situatës në kaskadën e Drinit ka qenë i ndjeshëm ditëve të fundit falë kushteve favorizuese të motit duke rritur HEC-in kryesor, Fierzën nga kuota 258 metra që ishte në mars.

Pritshmëritë e KESH dhe të qeverisë janë që përmirësimi në kaskadë të vijojë edhe në vazhdim duke qenë se kushtet e motit pritet të jenë të favorshme.

Parashikimi paraprak i KESH është që Fierza të arrijë në 276 metra rreth datës 17 prill por kjo nuk është diçka e sigurt.

Në këtë nivel rezerva energjetike në kaskadë do të ishte rreth 650 GWh duke dhënë kështu një garanci më të madhe për të përballuar situatën e vështirë energjetike që shkon përtej kufijve të Shqipërisë.

Aktualisht KESH ka njoftuar se ka kontraktuar me kontratë deri në prill 1200MË deri në korrik dhe po vijon depozitimin me KEK.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor