Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku foli për situatën energjetike gjatë fjalimit që mbajti sot në panelin e Kongresit të PS-së.
Ajo njoftoi ambicien e qeverisë për ta prodhuar vetë energjinë që i nevojitet.
“Kemi vendosur që të tjera burime alternative të energjisë të rinovueshme të fillojnë të kontribuojnë në sektorin energjetik shqiptar. Energjia quhet fushë me intensitet të lartë në investim dhe në kohë.
Një zhvillim energjetik nuk mund të ndodhë as për një muaj, as për dy, as për një vit. Kur ne nisim një projekt energjetik, nga momenti i dizenjimit, konceptimit e deri në momentin kur duhet të fillojë të operojë vepra, qoftë kjo hidrocentral, panele diellore apo eulike duhen disa vite.
Kështu që ne padyshim ne i kemi marrë masat. Padyshim në të ardhmen Shqipëria nuk do të bëhet superfuqia energjetike siç thuhej dikur por padyshim do të bëhet një vend që do të mbulojë të gjitha nevojat e tij për energji elektrike dhe madje do të bëhet edhe eksportues i kësaj energjie.”– u shpreh Balluku.
Balluku tha se Shqipëria prodhon 100% energji të rinovueshme, kryesisht nga kaskada e Drinit.