Vendosni fjalën kyçe....

Rama në Kongres paralajmëron të pasurit: Shumë shpejt do vendosim një tjetër çmim për ata që konsumojnë më shumë


Kryeministri dhe kryetari i PS-së Edi Rama ka nisur fjalimin e tij në Kongresin e kësaj force politike.

Ndërsa përshëndeste të pranishmit, specifikisht përmendi me emër ish-kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Më pas ai u ndalnë tre tragjeditë që janë shënuar në një periudhë kohore prej pak vitesh: Tërmeti, Pandemia dhe Lufta në Ukrainë.

“I nderuar Kongres i PS-së, shumë të dashur socialistë dhe socialiste kudo jeni duke na ndjekur, i dashur Gramoz, shokë dhe shoqe, delegatë, askush s’e kishte menduar që ky Kongres i caktuar prej kohësh si një stacion mes përfundimit të Këshillimit të Parë Kombëtarë dhe fillimit të zbatimit të nismave nga qytetarë të përfshirë në procesin e këshillimit…

Si të mos mjaftonte një tërmet që tronditi fort mbarë shoqërinë tonë duke vrarë plagosur dhe nxjerrë për pak sekonda në rrugë të madhe mbi 15 mijë familje dhe një pandemi që goditi me forcë mbarë botën duke tronditur themelet e ekonomisë tonë, plas tani dhe një luftë mu në Europë.

Kjo fatkeqësi e treta radhazi në tre vjet vret plagos dhe përzë nga vendi i tyre miliona njerëz por shtrembëron dhe këput hallka të zinxhirëve ekonomik të furnizimit të mbarë botës me naftë, gaz, grurë hekur e me radhë, duke goditur çmimit e produkteve bazë për ushqimin e njerëzve dhe për zhvillimin e vendeve.

Goditja mbi çmimet prek drejtpërdrejt 2 hallka të zinxhirit të jetës sonë, cënon ata që kanë të ardhura më të ulta, dhe nga ana tjetër kërcënon investimet publike dhe private.”– tha Rama.

Ai më pas lajmëroi se personat e pasur në vendin tonë, që sipas tij janë 5% e popullsisë, që konsumojnë 25% të energjise elektrike, do ta paguajnë me një tjetër çmim, natyrisht më të lartë. 

“Askush nuk e di sa kohë akoma duhet të përballëmi me këtë çmenduri në cmimin e energjisë elektrike.

Ndaj dhe së paku jo se do na zgjidhë problemin, por kemi nevojë më shumë se asnjë herë sot, sensit të shpërndarjes së barrës dhe marrjes përsipër të peshave nga kjo peshë sipas mundësive ne së shpejti do vendosim një çmim tjetër për të gjithë ata që konsumojnë energji elektrike shumë më tepër se masa e gjerë e popullit se janë më të pasur.

Nuk ka asgjë më normale e të natyrshme sa të shkojmë kundër rrymës të vetë sistemit për të mos lejuar që pensionistët tanë të kenë një dhimbje koke te shtuar për shkak të faturës së energjisë.

5% e konsumatorëve që konsumojnë 25% të energjisë nuk mund e nuk do vazhdojnë ti mbajmë me të njëjtën përkujdesje siç bëjmë për pensionistët.”- deklaroi Rama.