Presidenti Ilir Meta duke ju përgjigjur akuzave të Erion Veliajt ka thënë se nuk ka bërë asnjë bllokim për propozime për ambasadorë.
Meta e cilësoi Veliaj si gënjeshtar që gënjen edhe në gjumë.
“Akuzat për bllokim të propozimeve për ambasadorëve, një mashtrim ordiner. Zogu i Tiranës edhe në gjumë gënjen. Nuk kam bllokuar asnjë propozim zyrtar për emërim ambasadori. Faktet janë shkresat zyrtare”,-tha Meta.
Kreu i Shtetit më tej tha se Veliajn do e ndjekë hija e firmës që i ka dhënë Alqi Bllakos për inceneratorin e Tiranës.
Meta tha se SPAK nuk ka vepruar për ndëshkimin e akteve të Bashkisë të Tiranës duke filluar që nga shembja e Teatrit e deri te inceneratori.
“Zogun e Tiranës do ta ndjekë si hije gjithë jetën firma që i ka dhënë Alqi Bllakos për inceneratorin e Tiranës.
I kam paralajmëruar prej kohësh të mos i vënë stërkembeshin interesit publik. Asnjë veprim të prokurorisë dhe SPAK nuk kemi parë për ndëshkimin e akteve mafioze të Bashkisë së Tiranës, si shembja e Teatrit dhe inceneratori”-deklaroi Kreu i Shtetit.
Deklaratat e Veliaj, Presidenti i quajti si shpikje të një fajtori për dështimet e qeverisë.
Ndër të tjera Presidenti ftoi të arrestuarit për inceneratorët të bëhen të penduar dhe të tregojnë se kush i ka dhënë garanci për të shkelur ligjin.
“Sot u shpik një fajtor për dështimet e Qeverisë. Nuk është Presidenti fajtor pse ne Ukrainën që është në luftë nuk rriten çmimet, ndërsa në Shqipëri po. Pse këtu nuk rriten pagat dhe pensionet nuk është Presidenti fajtor. Për kriminalizimin e pashembullt të Qeverisë nuk është Presidenti fajtor.
Afera e inceneratorëve, i ftoj të gjithë të bëhen të penduar dhe të tregojnë kush ju ka dhënë garanci për të shkelur ligjin”-theksoi Presidenti.