Transporti i emigrantëve të paligjshëm vijon dhe policia raporton për aksione të njëpasnjëshme arrestimesh.
Në Gjirokastër, në kuadër të operacionit “Road Guard 13” është arrestuar shoferi I.T i cili transportonte 5 emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme.
Lidhur me këtë rast është arrestuar në Tiranë dhe një 21 vjeçar i cili dyshohet se është organizator i transportit të paligjshëm të emigrantëve.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “ROAD GUARD 13”.
Transportonte emigrantë të paligjshëm, nuk iu bind urdhrit të punonjësit të policisë për të ndaluar duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë, kapet dhe vihet në pranga drejtuesi i mjetit që transportonte 5 emigrantë nga vendet e treta.
Pas hetimeve paraprake, identifikohet dhe vihet në pranga edhe organizatori i kësaj veprimtarie kriminale.
Sekuestrohen një automjet dhe dy aparate celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Gjirokastër dhe Komisariatin e Policisë Tepelenë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë finalizuar me sukses operacionin policor “ROAD GUARD 13”.
Në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, shërbimet e policisë në bazë të informaciove të grumbulluara, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip “BMË” me drejtues shtetasin I. T., i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar por u largua me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë .
Pas disa minuta ndjekjeje në vendin e quajtur “Kryqëzimi poshtë Kalasë” Tepelenë, shërbimet e polciisë kanë kapur shtetasin I. T., i cili pasi kishte dalë nga rruga me mjet, e kishte braktisur atë dhe tentoi të largohej por është vënë në pranga nga shërbimet e policisë.
Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit shërbimet e policisë kanë konstatuar 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët ky shtetas po i transportonte kundrejt fitimit.
Në vijim të operacionit pas hetimeve paraprake të kryera nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, është bërë i mundur identifikimi i organizatorit të këtij rasti, ku falë bashkëpunimit me komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit E. T, 21 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë (organizator i kësaj veprimtarie kriminale).
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celularë.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” e kryer në bashkëpunim, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik “.