Policia ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e koduar “Faqet Online”, ku në pranga janë vënë 15 persona, mes tyre edhe 9 gra, të cilët akuzohen se tregtonin mallra kontrabandë.
Personat e arrestuar dhe ata të shpallur në kërkim, akuzohen se nëpërmjet faqeve online në rrjete sociale, reklamonin dhe tregtonin produkte të ndryshme, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri kontrabandë.
Këta persona nuk jepnin faturë tatimore për shitjet e tyre, duke shmangur pagesën e taksave dhe tatimeve.
DETAJET E POLICISË
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Faqet Online”.
Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i masave të sigurimit “Arrest në burg” për 15 shtetas dhe u shpallën në kërkim 6 të tjerë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune hetimore disamujore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “ Faqet Online”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve:
– E. I., 39 vjeçe, K. V., 34 vjeç, E. K., 30 vjeç, J. Q., 38 vjeç, P. Rr., 35 vjeçe, E. K., 34 vjeçe, E. Xh., 33 vjeçe, E. R., 41 vjeçe, A. D., 33 vjeçe, G. Ll., 30 vjeç, J. K., 31 vjeçe, S. R., 38 vjeçe, Sh. P., 52 vjeç, B. B., 56 vjeç, R. Gj., 27 vjeçe, administratorë të faqeve të ndryshme online.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit A. H., 22 vjeç, M. B., 32 vjeç, A. S., 32 vjeç, M. G., 36 vjeç, E. Ç., dhe E. Z.
Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se, këta shtetas nëpërmjet faqeve online në rrjete sociale, reklamonin dhe tregtonin produkte të ndryshme, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri kontrabandë, dhe për shitjet e tyre, nuk jepnin faturë tatimore, duke shmangur pagesën e taksave dhe tatimeve.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasi të konsiderueshme produktesh (mallrash), të cilat do të tregtoheshin te klientët nëpërmjet postave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.