Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), ka fshirë nga lista e të sanksionuarve ish-pjesëtarin e ndjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haradin Balën dhe katër figura të tjera shqiptare të cilat ishin pjesë e listës.
Ndërkaq, Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar se ka larguar nga lista e të sanksionuarve disa persona nga Ballkani Perëndimor.
Në mesin e tyre ndodhen pesë emra shqiptarë.
Bëhet fjalë për Haradin Balën, Jonuz Musliun, Sabit Gashin, Sait Rushitin dhe Xhemajl Hyseni. Ata janë shqiptarë, nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.
Haradin Bala, ka vdekur në vitin 2018. Emri i tij, sipas raportimeve të mediave, kishte figuruar në listë, së paku para vdekjes së tij, në vitin 2018.
Bala, i dënuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, vdiq më 31 janar, 2018, në shtëpinë e tij në Drenas.
Jonuz Musliu, po ashtu ka ndërruar jetë në janar të vitit 2018.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ishte po ashtu pjesë e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Thesarit. Që nga viti 2014, ai ishte kryetar i Këshillit Nacional Shqiptar, si dhe Kryetar Kuvendi në Bujanoc për disa mandate, ndërsa për herë të fundit ishte zgjedhur në vitin 2016.
Sait Rushiti, është një ish-pjesëtar i UÇK-së në Maqedoni. Ai vdiq në vitin 2010. Ishte njëri nga 22 të akuzuarit për rastin e dyshimit të keqtrajtimit të punëtorëve maqedonas të Mavrovës, gjatë konfliktit të vitit 2001 në Maqedoni.