Deputeti i PD-së Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Departamentit të Thesarit të SHBA-së për të sanksionuar ish-deputetin Aqif Rakipi.
Ai thekson se koha i dha të drejtë PD-së e cila kishte denoncuar Rakipin, Doshin e Dakon si personat me të cilët kryeministri Rama kreu masakrën zgjedhore.
Basha shkruan se kriza në të cilën ndodhet vendi është pasojë e shkatërrimit të institucioneve demokratike e procesit zgjedhor.
“Koha na dha prapë të drejtë! Aqif Rakipi, Tom Doshi, Vangjush Dako janë bedelët me të cilët Edi Rama kreu masakrën zgjedhore dhe tjetërsoi vullnetin e shqiptarëve që kërkonin ndryshim.
Në argumentimin nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara për sanksionet ndaj Aqif Rakipit theksohet:
“Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike”. Ky paragraf tregon se si i “fitoi” zgjedhjet Edi Rama në 2017 dhe në 2021.
Kriza në të cilën ndodhet sot Shqipëria, është pasojë e shkatërrimit të institucioneve demokratike dhe të procesit zgjedhor, që dje u konfirmua edhe nëpërmjet sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe pse këtë duhet ta kishin bërë organet ligjzbatuese shqiptare, ai është një lajm i mirë që partneri ynë strategjik SHBA është fokusuar në luftën kundër korrupsionit që po minon demokracinë dhe po shkatërron mirëqenien e shqiptarëve.”