Vendosni fjalën kyçe....

“Po punon kundër PD-së për interes të Bashës” – 7 orë debate brenda grupit parlamentar të PD-së për bashkimin, zgjedhjet dhe ambasadoren Kim


Zbardhen debatet e ditës së djeshme në mbledhjen e grupit parlamentar. Demokratët diskutuan dhe debatuan për 7 orë me radhë për problemet brenda partisë, ku veçanërisht pati përplasje mes Alibeajt dhe Berishës.

Në zbardhjen e debateve të publikuara nga “Balkanweb”, lexohet se Berisha i ka kërkuar Alibeajt që të rishohë pozicionin e tij pasi po punon për interes të Lulzim Bashës i cili kontrollohet nga kryeministri Rama. Ndërsa Alibeaj iu përgjigj atij se po pret vendimin e Apelit lidhur me Statutin e PD-së.

Diskutime pati edhe lidhur me ambasadoren amerikane Yuri Kim, për të cilën deputeti Ervin Salianji tha se duhet të trajtohet me respekt dhe i bëri thirrje Berishës të ndalen sulmet ndaj saj në emër të grupit.

DEBATET DHE DISKUTIMET

Sula: Votim në grup nëse duhet të rikthehen deputetët e përjashtuar

“Ju (i drejtohet deputetëve që mbështesin ish-kryeministrin Berisha) kërkoni t’i merrni të gjitha, por të gjitha nuk mund t’i merrni dot. Duhet të ketë kompromis mes palëve. Ne kemi dalë nga një “luftë civile” dhe për këtë duhet marrëveshje. Propozimi im është ky: grupi parlamentar të shprehet me votë për të rikthyer deputetët e përjashtuar sepse jemi në një situatë të re politike. Nëse grupi parlamentar vendos që deputetët e përjashtuar do të rikthehen, këtu s’ka më diskutim pastaj.
Në të njëjtën kohë propozoj që Kuvendi Kombëtar i thirrur në 30 Prill të shtyhet për pas 90 ditësh. Gjatë këtyre 90 ditëve të bëhen zgjedhje gjithëpërfshirëse në seksione, grupseksione dhe degë. Pasi të ketë mbaruar votimi në këto struktura të thirret Kuvendi për të zgjedhur strukturat drejtuese të PD-së. Ju thoni që Basha iku dhe i mori të gjitha me vete. Pra meqë ishin gabimet e tij, jemi në një situatë të re politike e për këtë duhet një marrëveshje. Propozoj gjithashtu që PD-ja të tërhiqet nga apelimi që ka bërë në gjykatë për vendimin për njohjen e 11 Dhjetorit, për t’i hapur pikërisht rrugë kësaj marrëveshjeje.”– u shpreh Sula para deputetëve demokratë.

Berisha jep “porositë”: Nuk duhet penguar 30 Prilli!

“Ka probleme nëpër dege për zgjedhjet. Por kjo duhet tejkaluar ne vazhdim. Pra edhe pse mund të kemi probleme tani, pak nga pak do i korrigjojmë rrugës. Por s’duhet penguar 30 prilli.”- tha ai.

Boçi thirrje deputetëve: Pranoni vendimin e gjykatës dhe tërhiqni ankimimet!

“Dëgjova me vëmendje të gjithë kolegët. Bashkohem me shqetësimet e tyre dhe thirrjet për bashkim janë dëshira të sinqerta.

Por bashkimi arrihet nëpërmjet akteve dhe proceseve. Po flasim këtu për dy procese bashkimi: Atë të grupit, atë të bazës. Unë dua të ndërtoj një qasje tjetër. Është një proces por njëri është shkaku, tjetri është pasoja. Kuvendi i 11 dhjetorit 18, proceset e tjera janë pasoja. Pasoja të vendimeve të gabuara të lidershipit përfshirë ne si grup. Që të arrijmë bashkimin duhet të shërojme shkakun.’të bashkojmë grupin. Nëpërmjet zbatimit të rregullave të funksionimit e kryerjes së akteve politike. Çdo vendim politik dhe i qëndrimit politik duhet të kalojë nëpërmjet konsultimit të kryesisë dhe të merret si vendim në grup. Edhe mbledhja e tij. Aktet duhet të vazhdojnë me pranimin e vendimit të gjykatës dhe tërheqjen e ankimimeve që s’prodhojnë gjë. Sikurse me pranimin e çdo anëtari grupi si të tillë duke rrëzuar çdo përjashtim e pezullim. Procesi i bashkimit në bazë, e cila na vëzhgon dhe mban qëndrime sipas pozicioneve tona, nëse ne bashkohemi, natyrshëm na ndjek në këtë proces bashkimi. Bashkimi i bazës nuk përfundon as në 30 as një javë më pas. Ai është i vazhdueshëm. Nëse vërtet bashkohemi do arrijmë të jemi forcë politike e besueshme dhe alternativë qeverisëse!”

 Salianji-Berishës: Ndalni sulmet ndaj ambasadores Yuri Kim

“Çdo mbledhje pa axhendë duket si mbledhje për axhenda okulte, produkti që jep kjo mbledhje nuk duhet të prodhojë më shumë paqartësi, më shumë mjegull dhe më shumë ndasi! Personalizimi i mbledhjes i shërben krijimit të ndasisë dhe propogandimit në publik të ndarjes!

Duhet t’iu them disa elemente; ne kemi bërë një rrugëtim të ndryshëm për disa muaj; para 2 javëve ka pasur një vendim gjykate, njëra palë thotë nuk e njoh por ndërkohë prej dy javësh nuk e ka tjerritur pjesën e grupit që mendon kështu, as kryesinë e partisë, nuk e ka mbledh as degët, çuditërisht dorëzuan dhe çelësat duke e bërë fakt vendimin! Gjendja dhe prania e çdo deputeti këtu ka bërë fakt një gjendje të re, sot gjendja faktike po tregohet nga të gjithë kolegët që folën. Po i kërkohet Komisionit të Rithemelimit të bëjë pjesë të procesit deputetët dhe nuk po i kërkohet askujt tjeter. Problemi themelor që ka partia sot janë plagët në bazë, ne duhet t’i japim mundësi çdo demokrati të garojë në një proces të besueshëm dhe ku janë gjithë palët! Bashkimi vjen duke u bërë proces i përbashkët!

Po ju kërkoj dhe diçka si kolegë, secili prej jush është në të drejtën e vet për sa kohë flet në cilësi personale dhe jo në emër të grupit, por Zoti Berisha duhet të ndalen sulmet ndaj ambasadores amerikane dhe çdo përfaqësuesi të Shteteve të Bashkuara.
Problemet ja kemi shkaktuar njëri-tjetrit, nuk mund të shpallim fajtorë ambasadorët për gabimet e dikujt!
Na ka ndarë jo mbështetja ndaj një personi, por mbështetja që i kemi dhënë siglës dhe puna për demokratët!”- tha Salianji.

Noka-Bardhit: Ti je shkaktari i kësaj gjendjeje në PD

Noka-Bardhit: Ti ke shkaktari i kësaj gjendjeje.
Gazmend Bardhi: Unë jam në partinë time. S’të marr leje. Kur erdhët ditën e vendimit gjyqësor thatë ‘vendimet e gjyqit zbatohen’. Sot thoni gjykata është e Ramës.

Helidon Bushati: Ja si mund të bashkohen demokratët

“Flasim gjatë gjithë kohës për bashkim, por në fakt në bazë po ndodh krejt e kundërta. Kam vërejtur me shqetësim se ky proces i nisur nga Komisioni i Rithemelimit, me të vërtetë po zgjedh një kryetar të ri dege, por po e thellon përçarjen. Pavarësisht se rithemelimi mund të gëzojë mbështetjen e shumicës, procesi nuk është gjithëpërfshirës. Që të gjejmë zgjidhje dhe të japim sinjale pozitive unë sugjeroj:

-Të ndalohet procesi i zgjedhjeve në degë. Të shtyhet për një periudhe jo më shumë se 1 mujore derisa të ndërmerren hapa te integrimit të të gjitha grupimeve ne këtë proces.

-Gjate kësaj periudhe mund të vendosim të mbledhim një Kuvend gjithëpërfshirës, le ta quajmë “Kuvend Pajtimi” nga ku të dalim me mesazhe te qarta për të ardhmën tone dhe rikthimin si alternativë qeverisëse.

– Nëse ky hap merr dakordësi, automatikisht duhet të tërhiqet padia e bërë në Gjykatën e Apelit dhe të mos fokusohemi në debate juridike.
– Të ndalohet që sot dalja në Televizione e kolegëve tanë të këtij grupi, duke mbajtur qëndrime apo duke mbrojtur qëndrime kontradiktore me njëri-tjetrin që evidentojnë dhe japin mesazhin se përçarja vazhdon.

Sot vetëm bashkimi e shpëton Partinë Demokratike, çdo proces tjetër vetëm sa e zvogëlon atë dhe nuk e bën kurrë fituese.”– tha Bushati.

Noka: Bashkim? Tërheqje nga ankimimet në gjykata, drejtimin e partisë e vendos vota

“Bashkimi i demokratëve dmth rikthim në normalitetin para 9 shtatorit. Ish-kryetari, Lulzim Basha që mori vendimin individual pa pyetur institucionet mori edhe faturën individuale me ikjen. Bashkë me të ikën çdo vendim që ai ka marrë. Bashkim dmth tërheqje nga ankimimet në gjykata pasi drejtimin e vendos vota Pas datës 6 mars ne qe dolëm shumicë kemi bërë thirrje vetëm për bashkim. Kryetari i grupit me ndonjë tjetër ka vazhduar agjendë tjetër përçarëse.”- tha Noka.

Vokshi: Bashkimi, jo i sforcuar!

Koreshi: Nuk jemi në rrugën e duhur.

Gështenja rendit propozimet

Ndërsa Lefter Gështenja ka pohuar se PD është në një krizë të thellë duke propozuar zgjidhje.

“Pasi PD nuk fitoi zgjedhjet 25 prillit, nisi bjerrja apo rrjedhja e parë e anëtarësisë dhe strukturës, ku shumë demokratë shprehnin pakënaqësinë për atë çka ne nuk erdhëm në pushtet.
Krisja e dytë dhe më e thellë ishte vendimi i 9 shtatorit, e për pasojë vendimet e njëpasnjëshme të 11 dhe 18 dhjetorit që çuan në çarjen dhe krizën e thellë të PD.
Duke parë dhe pranuar realitetin ku ndodhemi sot si PD, Ne duhet të ndërmmarim një proces gjithëpërfshirës ku secili nga ne duhet të kontribuojë jo për të përfituar por duke dhënë maksimumin në funksion të bashkimit dhe organizimit real të PD.
Në thelb të këtij procesi mendoj se duhet të qëndrojë:

‘‘Armëpushimi’’ mes demokratëve, vota e fshehtë e lirë dhe e barabartë.
Çfarë kuptimi ka hapja apo bashkimi i partisë nëse NE vazhdojmë bëjmë zgjedhjet përpara se të hapet apo të bashkohet Partia?
Mendoj që në PD nuk duhet të ekzistojë termi shumicë pakice, pasi ne duhet të jemi NJË, të jemi të gjithë bashkë kundër Edi Ramës, ndarja në mazhorancë e minorancë në Parti na çon në ndarje dhe përçarje të strukturës në të gjitha Nivelet.
Nuk është aspak normale që në procesin e zgjedhjeve brenda në Parti të mos përfshihen kryetarët /drejtuesit/ ish drejtuesit e strukurës së degëve që kanë shpenzuar për 30 vjet kohë mund dhe para, janë njerëz me vlera dhe kontribute, janë njerëz që kanë sëpaku 9 vjet në një opozitë të vështirë. Ata nuk përfshihen thjesht për faktin se mendojnë ndryshe apo nuk kanë firmosur formularin, ndërkohë nuk janë larguar për asnjë moment nga PD.
Unë them që kjo nuk është normale, kjo nuk është demokraci, kjo nuk është hapje e partisë ky nuk është bashkimi, por është e kundërta.
Për zgjidhjen e kësaj krize propozoj:
Ngritjen e Grupeve të Përbashkëta Pune në nivel qendror dhe lokal për organizimin dhe drejtimin e procesit të bashkimit dhe zgjedhjeve në PDSH në nivel qendror (5 deputete) dhe lokal (5 veta drejtues strukture) (deri më 15/04/2022).
Të drejtën për të kandiduar e ka çdo demokrat që plotëson kriteret e përcaktuara mëparë.
Ndërkohë duhet të fillojmë me urgjencë punën në terren duke dalë të gjithë bashkë për të dhënë mesazhin e Bashkimit pasi pas 1 viti kemi zgjedhjet lokale, të japim mesazh të qartë për çdo demokrat që Grupi Parlamentar është i bashkuar dhe i unifikuar.”– tha Gështenja.

Xhaferaj: Për grupin e PD Yuri Kim është ambasadore e nderuar e SHBA, jo guvernatore

Deputeti i PD Ferdinand Xhaferaj deklaroi se për grupit e PD Yuri Kim është ambasadore e nderuar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo ‘guvernatore’. Termi guvernatore është përdorur nga Berisha për ambasadoren e SHBA.

“Për grupin e PD, Yuri Kim është ambasadore e nderuar e SHBA-ve dhe jo guvernatore!”– mësohet të ketë thënë Xhaferaj.

Berisha i kërkon dorëheqjen kreut të grupit. Ja si i përgjigjet Alibeaj

Berisha: Rishiko pozicionin sepse ti punon kundër PD për interes të Bashës i cili kontrollohet nga Rama. Përbashkimi i PD ka pasur vështirësi, por ekziston një vullnet i gjerë si në bazë si të deputet për të zhbërë një periudhe të shkurtër përçarje. Duheshin bërë hapa në këtë drejtim. Por një njeri dha dorëheqjen iku dhe pasoi një zinxhir ngjarjesh. Ai mbart me vete të vërteta të hidhura si dosjen ruse.  Unë e kam mohuar vetë, por dolën gabim të dhënat që kisha unë. Por ka edhe një gjë tjetër. Pa asnjë tagër Alibeaj padit PD në gjykatë. Padit një proces që demokratet e kanë pranuar. Yuri kim ka bërë presion në gjykatë.

Alibeaj- Berishës: Kam shumë respekt për ju doktor. Por në cilësinë time duhet që ta apeloja vendimin e gjykatës. Unë nuk e kam bërë në titull personal ankimin. Vendimi i gjykatës mendoj se është i paligjshëm, kur të flasë Apeli do e pranoj i pari. Ti pushtove selinë se s’ke kohë. Do të hiqesh si triumfator. Është i paligjshëm. Ai vendim nuk është i formës së prerë.

Emrat e deputetëve që munguan:

Alfred Rushaj, Lulzim Basha, Flutura Açka, Belind Këlliçi, Dashnor Sula, Ferdinand Xhaferraj, Grida Duma, Bujar Leskaj, Agron Shehaj, Sorina Koti.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Balkanweb