Konflikti në Ukrainë ka çuar në ‘një epokë të re të luftës së ftohtë’ me pasojat që pritet të zgjasin për dekada, ka paralajmëruar zëdhënësi i presidentit turk Ibrahim Kalin i cili shprehu qëndrimin e liderit të vendit, Erdogan.
Duke postuar në Twitter një deklaratë të mërkurën për të bërë parashikimin e tij të zymtë, Ibrahim Kalin deklaroi se ‘kriza ukrainase vazhdon të thellohet’.
Kërkimi për ‘një ekuilibër të ri fuqie’, së bashku me ‘llogaritjet afatshkurtra të përfitimit’, sipas tij, në perspektivën afatmesme dhe afatgjatë do të shkaktojë ‘humbje të mëdha strategjike dhe dramë njerëzore’.
“Kemi hyrë në një epokë të re të luftës së ftohtë. Efektet e kësaj lufte do të zgjasin për dhjetëvjeçarë.” – shkroi ai.
Që nga fillimi i ofensivës së Moskës më 24 shkurt, Turqia ka mbajtur një pozicion asnjanës duke kërkuar bisedime paqeje, duke paralajmëruar Perëndimin kundër izolimit të Rusisë dhe duke kërkuar të veprojë si ndërmjetës midis Moskës dhe Kievit. Ndryshe nga anëtarët e tjerë të bllokut të udhëhequr nga SHBA, Ankaraja ka kundërshtuar të vendosë sanksione ekonomike kundër Rusisë dhe ka mbajtur të hapura kanalet e saj diplomatike me të dyja palët.
Ndërsa SHBA-ja dhe aleatët e saj vazhdojnë të bëjnë thirrje për izolimin e Rusisë në përgjigje të veprimeve të vendit në Ukrainë, presidenti rus Putin tha të martën se asnjë vend nuk mund të ruajë dominimin e tij të plotë tani, pasi bota është bërë ‘shumë më e ndërlikuar sesa ishte dikur Luftës së Ftohtë’.