Britania e Madhe do të dërgojë azilkërkuesit që përpiqen të kalojnë Kanalin Anglez në Ruandë për t’u përpunuar, pasi të nënshkruajë një marrëveshje prej 120 milionë stërlinash me qeverinë e Ruandës.
Sekretarja e Brendshme britanike Priti Patel do të nënshkruajë marrëveshjen këtë pasdite gjatë një vizite në kryeqytetin e Ruandës, Kigali, pas nëntë muajsh negociatash dhe disa përpjekjeve të dështuara për të arritur marrëveshje të ngjashme me vende të tjera dhe territore në det të hapur.
Azilkërkuesit që gjykohen nga Zyra e Brendshme si emigrantë ekonomikë do të dërgohen në vendin e Commonëealth-it dhe do të mbahen në një institucion derisa të shqyrtohet kërkesa e tyre, ndërsa pjesa tjetër e azilkërkuesve do të qëndrojnë në qendra më strikte, të stilit grek në Britani deri sa Ministrja e Brendshme të marrë një vendim për aplikimet e tyre. E para nga qendrat e tilla pritet të hapet në Linton-on-Ouse, North Yorkshire.
Kryeministri Boris Johnson njoftoi marrëveshjen në një fjalim të enjten në Kent, në të cilin ai argumentoi se Britania ‘nuk mund të mbajë një sistem paralel imigrimi’ së bashku me sistemin e saj të bazuar në pikat pas Brexit, sepse krijon presion të paqëndrueshëm për taksapaguesit në Britani.
“Nga sot, partneriteti ynë i ri i migracionit dhe ekonomik do të nënkuptojë që kushdo që arrin në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme si dhe ata që kanë mbërritur në mënnyrë të paaligjshme që nga 1 janari, tani mund të zhvendosen në Ruandë.” – tha ai.
“Kjo qasje e re, e drejtuar nga impulsi ynë i përbashkët humanitar dhe i mundësuar nga liritë e Brexit, do të ofrojë rrugë të sigurta dhe ligjore për azilin ndërkohë që prish modelin e biznesit të bandave, sepse do të thotë se migrantët ekonomikë që përfitojnë nga sistemi i azilit nuk do të qëndrojnë në Britani.” – shtoi Johnson.
Sipas statistikave të Home Office, rreth 90 për qind e 28,526 emigrantëve që mbërritën në Britani me varka të vogla përmes Kanalit vitin e kaluar ishin meshkuj, ku shumica e tyre besohet të jenë beqarë. Zyrtarët thonë se meshkujt beqarë që përpiqen të shkojnë në Britani nga kjo rrugë kanë më shumë gjasa të jenë emigrantë ekonomikë.