Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha të premten se presidenti Joe Biden nuk do të vizitojë Ukrainën. Kjo vetëm një ditë pasi vetë Biden pati deklaruar se ishte gati për të bërë udhëtimin.
I pyetur të enjten nëse ai është gati të udhëtojë në Kiev, Biden i tha një gazetari “po“. Megjithatë, Psaki u shfaq në podcastin “Pod Save America” një ditë më vonë për të derdhur ujë të ftohtë mbi këto plane.
“Ai është gati për çdo gjë”- tha Psaki për Biden, përpara se të shtonte: “Ne nuk po e dërgojmë presidentin në Ukrainë”.
Ndërsa Biden ka premtuar mbështetjen e SHBA-ve për qeverinë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, një udhëtim në Poloni muajin e kaluar ishte më i afërti me Ukrainën që ai ka bërë, që kur Rusia nisi ofensivën e saj ushtarake atje në shkurt. Psaki tha të premten se në fakt hyrja në Ukrainë nga Polonia do të përfshinte një “tren tetë orësh përmes një zone lufte”, diçka që “nuk është në planet për presidentin e SHBA-ve”.
Ligjvënësit republikanë sulmuan Biden në fillim të kësaj jave për mos vizitën e Kievit, veçanërisht pasi kryeministri britanik Boris Johnson u takua me Zelensky fundjavën e kaluar. Krahas Xhonsonit, kryeqytetin ukrainas e vizitoi edhe presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, si dhe liderët e Austrisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë.