Politikani opozitar në Ukrainë, Viktor Medvedchuk, iu drejtua presidentëve Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky me një kërkesë për ta shkëmbyer atë me personel ushtarak dhe banorë të Mariupolit. Video mesazhi i tij u publikua të hënën nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU).
“Unë, Viktor Vladimirovich Medvedchuk, dua t’i bëj thirrje presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me një kërkesë që pala ukrainase të më shkëmbejë me mbrojtësit e Mariupolit dhe banorët që janë sot atje dhe nuk kanë mundësinë e një daljeje nëpër korridoret humanitare.” – tha ai sipas TASS.
Kujtojmë se më 12 prill, Zelensky njoftoi arrestimin e Medvedchuk dhe postoi fotot e tij në pranga. Në të njëjtën kohë, presidenti propozoi shkëmbimin e tij me robër lufte ukrainas.
Më vonë, gruaja e Medvedchuk, Oksana Marchenko, regjistroi disa video-mesazhe në të cilat ajo deklaroi se burri i saj ishte arrestuar për arsye politike.
Ajo i kërkoi Putinit ta ndihmonte në shkëmbimin e burrit të saj. Ajo iu drejtua për ndihmë gjithashtu presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe princit të kurorës saudite, Mohammed bin Salman Al Saud. Marchenko gjithashtu u bëri thirrje të afërmve të britanikëve të kapur me një thirrje për t’i kërkuar kryeministrit britanik Boris Johnson që t’i shkëmbejë ata me burrin e saj.