Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj ka deklaruar në seancën e sotme në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit se ka paraqitur kallëzim penal për të hetuar çdo portal anonim që ka bërë shkrime denigruese dhe të pavërteta, të cilat kanë pasqyruar lloj-lloj të dhënash për komisionerët, vëzhguesit apo prokurorë e gjyqtarë.
Në fjalën e saj përmbyllëse Imeraj tha se ka kallëzuar portalin infront.org. dhe në përfundim të hetimeve është identifikuar personi që e disponon atë.
Po kështu Imeraj tha se në procesin ndaj saj ka pasur shumë të pavërteta nga anonimë apo njerëz të shtyrë që kërkojnë të përdorin sistemin e drejtësisë për të bërë padrejtësi. Ajo theksoi se gjatë procesit të rivlerësimit është përballur me përfundime të quajtuara opinione apo gjetje, të cilat referojnë si burim prove, letra anonime.
Po kështu Imeraj theksoi se është përballur edhe me cenim të jetës personale në kushtet kur nuk ka qenë e nevojshme. Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës tha gjithashtu se në procesin e rivlerësimit ndaj saj ka pasur futje aktesh të falsifikuara në dosje.
Imeraj tha se ndaj saj ka pasur sulme të çuditshme të paraqitura në denoncme në copa letrash apo me email-e të rreme nga persona që nuk ekzistojnë.
Ajo nuk la pa përmendur edhe përpjekjet për intimidimin e saj për shkak të origjinës nga Tropoja apo duke e futur në rryma të ndryshme politike.
Në fund të fjalës së saj, Imeraj tha se për hir të transparencës ka kërkuar hetim të plotë e shterrues për çështjen e saj duke u mbështetur në të gjitha kriteret ligjore duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të KPK-së.
*Fjalën e plotë të Imerajt në seancnën në KPA e lexoni këtu: Imeraj-KPA