Vendosni fjalën kyçe....

Berisha jashtë parlamentit: Çfarë do t’i thosha sot Ramës në seancë


Pas ndërprerjes së seancës plenare për pak minuta, ish-kryeministri Sali Berisha ka folur në një prononcim për mediet lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili shprehej se do ndërpriste çdo marrëdhënie me PD-në nëse drejtimin e merrte Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se do denonconte skandalin e Ramës në Gjermani, duke iu referuar një incidenti të kryeministrit në avion.

“Në çdo aspekt më takonte fjala. Siç e vini ju ka një seleksion politik. Por unë dola për diçka tjetër. 

Edi Rama ulet aty jo vetëm si kreu i organizatës kriminale të djegësve, por edhe si një njeri që është përzënë nga avioni me dhunë.

Tani dy momente dua të theksoj. Çfarë do i thosha në Parlament: nga Lufthansa e largoi policia gjermane me kërkesë të punonjësve të shërbimit të avionit. Por ju duhet ta dini dhe shqiptarët duhet ta dinë se në avion policia ndërhyn vetëm në dy rrethana: e para, kur transportohen të burgosur. Pasagjerët e panë që ai nuk kishte hekura në duar. Ata u tmerruan. Këtë do ia thosha në parlament.

Rast tjetër kur ndërhyn në avion është kur ka sinjale se kanë ardhur terroristë. Ata që nuk e njihnin, menduan se kishim të bënim me një Abu Al Kasam dhe ngjalli një frikë të tmerrshme në avion. Këtë do ia thosha unë, dhe do ia them, por ai ia mbathi.

Në vend që të kërkonte ndjesë publike për skandalin në udhëtimin e tij, duke menduar se është në Shqipëri dhe ligji nuk ekziston për të as në Gjermani, përdori një gjuhë të denjë vetëm për të.

Njeriu, në vendin e të cilit janë ekzekutuar njerëz pse nuk kanë mbajtur maska. Dhe janë nxjerrë tanket në rrugë për të tmerruar njerëzit.”– tha Berisha.