Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka bërë kërkesë në Gjykatën e Lartë për pezullimin e dënimit me burg, pasi është i dënuar me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie.
Sipas televizionit “News 24”, rekursi do të depozitohet brenda ditës së sotme. Në rekursin e Tahirit thuhet se vendimi i marrë cënon interesat e tij, dhe për këtë shkak kërkon pezullimin e ekzekutimit.
“Tahiri ka vënë në lëvizje Gjykatën e Lartë duke bërë kërkesë për pezullimin e vendimit të Gjykatës së Apelit. Tahiri thotë se kjo vuajte dënimi nuk mund të vijojë. Në kërkesë shkruhet se familja e tij gjendet e ekspozuar ndaj pasojave të mundshme dhe se vendimi cënon rëndë interesat e tij.”- thotë gazetarja Klodiana Lala.
Kujtojmë se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është i dënuar për shpërdorim detyre me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie për shpërdorim detyre. Ai po e vuan dënimin në burgun e Fierit, me urdhër të GJKKO-së.