Ish-kryeministri Sali Berisha në intervistën për emisionin “Të Pakespozuarit” në MCN TV foli për ecurinë e gjyqit të tij ndaj Sekretarit Amerikan Antony Blinken.
Berisha tha se në favor të tij është ligji ndërkombëtar që shpifja dënohet atje ku del. Ndërsa shtoi se nuk zgjodhi të padiste SHBA-të pasi gjykata ishte shumë e kushtueshme.
“Avokati po merret me të, do të më njoftojë. Nuk merrem unë fare, ai ka bërë padinë. Dy faktorë janë kundër dhe janë shumë të fortë: Fakti që asnjë nuk është shtetas francez, dhe së dyti që Sekretari i Shtetit ka imunitet. Tani të them çfarë ka në favorin tim.
Në favorin tim është një ligj ndërkombëtar i pashkruar: shpifja dënohet aty ku del. Si rregull, shpifja nuk është funksion zyrtar, ndaj imuniteti mund të jetë ose mund të mos jetë. Unë nuk kam paditur në SHBA pasi gjykata është shumë e kushtueshme”-deklaroi Berisha.
Më tej Berisha u pyet edhe për shumën që i ka kushtuar deri më tani avokati duke thënë: “7200 euro, meqenëse e doni. Është ndër më të famshmit në Europë, me faturë… si avokat ka ardhur nëpërmjet një mikut tim, o 7200, ose 7600 se nuk e kam parë mirë”.