Vendosni fjalën kyçe....

Yuri Kim reagon pas akuzave të Berishës: Kam inkurajuar gjyqtarët dhe prokurorët të bëjnë punën dhe luftojnë korrupsionin



Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka reaguar pas deklaratave të sotme të ish-kryeministrit Sali Berisha se ka ndërhyrë në gjykatë për çështjen në PD.

Në një postim në “Twitter”, Kim se ajo vetëm i ka inkurajuar gjyqtarët dhe prokurorët që të bëjnë punën e tyre në luftën kundër korrupsionit.

“Nëse ‘ndërhyrja në procesin gjyqësor’ nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre pavarësisht kërcënimeve apo nxitjeve, duke e bërë të qartë që SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin, dhe duke kërkuar që të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë për të luftuar kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit, atëherë PO, SHBA ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë pikërisht këtë – sepse lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë përbëjnë një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të SHBA-së.”– shkruan Kim.

Kujtojmë se Berisha e akuzoi më herët Kim po ndërhyn në çështjen për PD-në pranë Gjykatës së Apelit.

“Sikundër unë publikisht sot para mediave shpreh keqardhjen por edhe denoncimin tim për ndërhyrjet e saj direkte në procesin gjyqësor. Javën e kaluar unë iu informova. Thashë se kam informacion për dy burime. Guvernatorja bën takime për procesin gjyqësor që nuk ka asnjë bazë ligjore.

Kurrë sipas përcaktimit të procedurave të Kodit Civil nuk mund të konsiderohet palë ajo që nuk është palë. Unë këtu i bëj thirrje qeverisë së SHBA-ve të ndalojë ndërhyrjet e përfaqësueses së saj në proceset gjyqësore në Shqipëri.”- deklaroi Berisha.

I pyetur se nuk i bën publike faktet kundër ambasadores Kim, kur vetë i ka kërkuar DASH të bëjë publike provat që ka ndaj tij, Berisha u përgjigj se situatat janë të ndryshme. Megjithatë shtoi se “nëse autoritetet e SHBA-ve e kërkojnë do them gjithçka di”.

Më pas ai shtoi: “Kam 3 burime që më informojnë për ndërhyrje në Gjykatë dhe jashtë gjykate për në Gjykatë. Kam 3 burime.”

Berisha theksoi se “Në asnjë mënyrë nuk akuzoj njeri pa fakte” por provat do i bënte publike në një moment tjetër.

Kjo deklaratë e Berishës erdhi pak para se të mësohej lajmi se Gjykata e Tiranës vendosi të njohë Enkelejd Alibeajn si palë ankimuese në çështjen e Statutit të Kuvendit të 11 Dhjetorit të PD-së./Hashtag.al