Drejtori i Qendrës Shëndetësore në Stolac, Kazimir Raguž, ka zbuluar se pas tërmetit të mbëmjes së kaluar që goditi Bosnjën dhe Hercegovinën, në këtë institucion shëndetësor janë paraqitur disa të lënduar. Por të gjithë pasi kanë marrë mjekimin e nevojshëm janë larguar, ndërsa njëri është dërguar diku tjetër për mjekim më të specializuar.
Raguz ka treguar për mediet boshnjake se një person ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është transportuar në spitalin e Mostarit, ndërsa tek personat tjerë të cilët janë paraqitur në Shtëpinë e Shëndetësisë janë konstatuar lëndime të lehta.
Duke folur për personat që mbetën të lënduar lehtë, Raguž ka shpjeguar se më së shumti bëhet fjalë për gërvishtje, ndrydhje të kyçit të këmbës, duke pasur parasysh se të gjithë u përpoqën të iknin nga shtëpia nga frika dhe paniku.
“Ka pasur edhe lëndime të lehta në kokë nga rënia e sendeve nëpër shtëpi, por asgjë më e rëndësishme dhe më e rëndë. Të gjithë janë liruar për mjekim shtëpiak.”– ka përfunduar drejtori i Qendrës Shëndetësore.
Kujtojmë se pas një tërmeti të fortë që goditi Bosnjën dhe Hercegovinën rreth orës 23:00 të mbrëmjes së kaluar, ka humbur jetën një vajzë 28-vjeçare në Stolac, shtëpia e së cilës është goditur nga një gur. Prindërit e saj mbetën të plagosur.