Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mesditën e sotme një komunikim për mediat në kuadër të javës kulturore ndërkombëtare, e cila nis sot me Francën.
Gjatë pyetje-përgjigjeve, Rama foli për rolin e pushtetit vendor për zhvillimin e turizmit kulturor që të mos jetë kalimtar për turistët duke thënë se kanë krijuar kalendarë specifikë dhe harta për turistët.
Rama u shpreh që ky sezon pritet të jetë më i miri, ndërsa shtoi se synimet janë për ta shpallur Shqipërinë kampione për turizmin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Sezonet turistike kanë ndryshuar ndjeshëm dhe pse ndryshimi duhet të jetë shumë më i thellë dhe sistematik por ka ndryshuar ndjeshëm qysh se kemi filluar të punojmë.
Janë bërë disa vite që gjatë periudhës së sezonit kemi kalendarë specifike aktivitetesh dhe harta specifike për turistët. Edhe bashkëpunimi me bashkitë është strukturuar dhe ka shumë për të bërë akoma, por të jemi realistë, në këtë proces duhet kohë për të ndërtuar siç duhet tradita të caktuara.
Jam besimplotë që ky sezon do të jetë më i miri në të gjitha aspektet sepse kemi punuar për pastërtinë. Kemi një skemë të re për pastrimin e territorit në vijën bregdetare dhe do të kemi ndryshim të dukshëm. Por nuk mjafton vetëm puna e shtetit, por duhet edhe shqiptari të jetë në lartësinë e kësaj nevoje të madhe që ka vendi për të mos u turpëruar në sytë e botës dhe për të mos u bërë pasqyra deformuese e edukimit të fëmijëve tanë.
Në atë mjedis plehrash që shihen ngado që hedh sytë, rrisin fëmijët dhe bëjmë gjynahun e madh të mësimit të fëmijëve me plehrat. Këtë duhet ta ketë parasysh çdo prind që ndot mjedisin. Jo vetëm kaq por sezoni do të ketë edhe kalendarin e vet kulturor dhe do të ketë risi të tjera që do të lidhen me mundësi që lidhen me dixhitalizimin.
Sistemi i ndihmës së parë dhe kujdesit shëndetësor është ngritur, është solid dhe do të vijojë të jetë aty në mbështetje të të gjithë turistëve dhe qytetarëve që shkojnë në vijën bregdetare dhe do të jetë i pari sezon ku Apolonia do të arrihet me një rrugë brenda standardit dhe në të gjitha drejtimet, deri në investimet e reja që po bëhen.
Kam shifrën e rritjeve të fluturimeve. Kjo si pasojë edhe e uljes drastike të çmimeve. Nga ana tjetër është edhe rritja e investimeve në fushën e turizmit kështu që kemi të gjithë arsyet të besojmë se industria e turizmit do të njohë rritje të madhe dhe brenda dekadës do të shpallim Shqipërinë kampione në rajon për turizmin.”- deklaroi Rama.