Vendosni fjalën kyçe....

“Kërkesa kryesore vjen jo nga mjekësia, risk të përfundojë në tregun kriminal”-  Lleshaj nuk është entuziast për legalizmin e kanabisit


Ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nuk duket aq entuziast lidhur me nismën e legalizimit të kanabisit mjekësor, pasi sipas tij, mbart riskun e devijimit të prodhimit drejt tregut kriminal.

Gjatë një interviste për gazetën Panorama, Lleshaj u pyet nëse e mbështet këtë nismë. Edhe pse nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë pyetje, ai nuk duket shumë pro idesë. Ish-ministri beson se qëllimet e synuara të qeverisë për rritje ekonomike nuk do mund të realizohen ndërsa rendit një sërë problemesh.

“Personalisht nuk besoj se qëllimet e synuara nga nisma do të mund të realizohen. Së pari, besoj se një vend i vogël si Shqipëria duhet ta orientojë zhvillimin e vet duke u bazuar kryesisht, jo në burimet natyrore të cilat janë gjithsesi të fundme, por në burimet e saj njerëzore, në energjinë krijuese dhe talentet njerëzore, të cilat janë të pashtershme nëse për to kujdeset dikush. Më shumë se sa të ujisin domate, të prashisin speca apo të shesin kunguj, të rinjtë e vendit tonë duhet të mësojnë profesione të së ardhmes, të programojnë në kompjuter, të dizenjojnë, të projektojnë e të prodhojnë, të merren me shkencë, me mjeshtëritë e ndryshme, me shërbime, me art, me sport, etj… Rinia jonë nuk mund të bazojë të ardhmen e saj as te toka dhe as te nëntoka e vendit tonë. Ajo duhet të emancipohet nga toka në qoftë së do që të ndërtojë një vend jo të botës së tretë. Mos harroni se prodhimet e bujqësisë së Amerikës i realizon vetëm 1,4% e fuqisë së saj punëtore. Të ngjashme janë këto shifra edhe në vendet e tjera të zhvilluara. Me këtë nuk dua të them që të mos punojmë tokën, por këtë gjë duhet ta bëjnë pak veta në mënyrë moderne. Së dyti, unë mendoj se shtimi i një produkti të ri (kanabisit), krahas prodhimeve të tjera të tokës, nuk ka për të na sjellë ndonjë bum në të ardhura, pasi, nga njëra anë, kanabisi nuk është ndonjë bimë mjekësore çudibërëse dhe kërkesa për të është relativisht e kufizuar; dhe, nga ana tjetër, ne do të kemi të njëjtat vështirësi në konkurrencën e tregut, ashtu si ato që ndeshim në rastin e produkteve të tjera të tokës, pasi kanabis mjekësor prodhojnë edhe shumë vende të tjera.”– thotë Leshaj.

I pyetur nëse ekziston mundësia që situata të dalë jashtë kontrollit, ish-ministri i Brendshëm theksoi se duke qenë se kërkesa më e madhe për kanabisin buron jo nga sektori i shëndetësisë, risku është i madh.

“Kërkesa më e madhe për kanabisin buron jo nga sektori i shëndetësisë. Duke qenë se kërkesa kryesore vjen jo nga mjekësia, por nga ata që e tymosin atë, dhe në kushtet kur tregtimi për qëllimin e tymosjes është ilegal në shumicën e vendeve, risku që prodhimi i synuar për tregun shëndetësor të përfundojë në tregun kriminal të tymosjes është i pashmangshëm.”- theksoi Lleshaj.