Vendosni fjalën kyçe....

Festivali Kombëtar i artit kulinar, Meta: Vit shpresëdhënës për turizmin, vizitorët e vlerësojnë me 5 yje kuzhinën tonë


Paraditen e sotme është organizuar në Presidencë Festivali Kombëtar i Bujtinave, Restoranteve dhe Prodhuesve Vendorë Turistikë.

Pjesë të festivalit ishin shumë përfaqësues nga shoqatat e bujtinave dhe restoranteve.

Gjatë fjalë së tij presidenti Ilir Meta tha se ky është një vit shpresëdhënës për turizmin. Ai vlerësoi punën e bërë nga përfaqësuesit e restoranteve dhe bujtinave në të mirë të fuqizimit të ekonomisë, ndërsa shpërndau edhe disa dekorata.

Meta bëri edhe një batutë me artistin e njohur Bujar Kapexhiu për të cilin u shpreh “Sa i takon stomakut të zotit Bujar, ai do të ketë probleme”. Kjo për shkak të larmishmërisë së ushqimeve që janë servirur në këtë aktivitet.

Pjesë nga fjala e Metës:

E kanë kthyer në art kulinarinë me të cilën ne krenohemi dhe e cila la përshtypje të forta tek çdo vizitor i huaj që vjen në vendin tonë. Përsa i përket stomakut të zotit Bujar, ai gjithmonë ka probleme. Të nderuar përfaqësues, mjeshtra të kuzhinës tonë, fermerë, jam krenar dhe i lumtur që të jemi sot sëbashku në festivalin e kulinarisë. Sot e keni stolisur këtë institucion me prezencën tuaj, të njerëzve të punës. Një falenderim shkon për shoqatën e bujtinave. Kjo ditë e bukur më jep kënaqësinë për të ndarë optimizmin dhe synimin e një turizmi të mirë këtë vit dhe shpresëdhënës. Ju që bashkëjetoni me turizmin, keni vendosur pasasportën e mikpritjes për turistët. Është pikërisht puna e juaj, sëbashku me fermerët, blegtorët, peshkatarëve, vreshtarëve, prodhuesve të verës dhe shumë të tjerëve, që të gjithë me ekonomitë e vogla familjare, mbajnë gjallë këtë sektor.

Ndihmojnë në rritjen e të ardhurave jo vetëm në ekonominë e vendit. Është krijuar një zinxhir bashkëpunues, e cila është çelësi i suksesit për bujtinat. Vendi ynë ngjall shumë interes, jo vetëm për natyrën, trashëgiminë kulturore, traditat por edhe për një arsye që është shumë e qartë për kulinarinë tonë. Kemi krijuar një kuzhinë organike shqiptare. Mjeshtër të mëdhenj të kuzhinës sot, ja kanë lartësuar emrin e kulinarisë shqiptare në botë. Kjo është një prej arsyeve pse vizitorët që largohen nga Shqipëria, vlerësojnë me 5 yje kuzhinën shqiptare.

Të gjithë jemi të apasionuar pas natyrës, dhe në fundin e kësaj dite, mblidhemi rreth sofrës shqiptare për të shijuar ushqimin. Jeni ju përfaqësuesit e shoqatës së bujtinave dhe restoranteve, që punoni për të integruar këto vlera. Prania dhe angazhimi juaj sot më jep kënaqësi pasi të merresh me turizëm nuk është e lehtë, por e respektuar. Keni ardhur nga e gjithë Shqipëria, keni ardhur nga bjeshkët e Valbonës dhe nga brigjet e Jonit. Vlerësim dhe respekt për punën tuaj të madhe. Me nderim dhe respekt për punën tuaj, kam kënaqësinë të vlerësoj disa prej anëtarëve më të spikatur.