Një 20-vjeçar është arrestuar në Gramsh pasi akuzohet për dhunë në familje.
Sipas policisë, i riu me iniciale S.K. ka kanosur të qëllojë më thikë të atin, 45-vjeçarin S.K..
Ai ka njoftuar policinë që ka shkuar në fshatin Crunjë të Gramshit duke arrestuar të riun.
Njoftimi
“Ushtroi dhunë ndaj babait të tij, e kanosi me mjet prerës dhe i dëmtoi automjetin, falë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, parandalohet ngjarja e mundshme kriminale dhe vihet në pranga djali.
Në sallën operative të Komisariatit të Policisë Gramsh ka ardhur një telefonatë nga shtetasi S. K., 45 vjeç, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i biri po ushtronte dhunë fizike ndaj tij dhe po e kanoste me mjet prerës.
Me marrjen e njoftimit, menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë në fshatin Crunjë, ku është bërë e mundur kapja dhe neutralizimi në kohë i autorit të dyshuar.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gramsh arrestuan në flagrancë shtetasin S. K., 20 vjeç, i cili, pasi ka dhunuar babanë e tij dhe e kërcënuar atë, me mjet prerës (thikë), i ka dëmtuar xhamin e automjetit dhe disa orendi shtëpiake.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.”