Vendosni fjalën kyçe....

Deklarata e Ramës fyen opozitën, Tritan Shehu: Ndërprisni seancën dhe merrni masa ndëshkimore ndaj tij


Deputeti i PD-së Tritan Shehu i ka kërkuar kryeparlamentares Lindita Nikolla që të ndërpresë seancën plenare dhe të mbledhë konferencën e kryetarëve për të marrë masë ndëshkimore ndaj kryeministrit Edi Rama.

Kjo për shkak të deklaratave të tij, në drejtim të opozitës.

 “Që në një parlament të ketë mendime të ndryshme, debate dhe të forta, është normale, që opozita të ngrejë zërin më tepër dhe kjo ndodh, por që të isnultohet në këtë mënyrë opozita nga kryeministri është e pandodhshme dhe e papranueshme gjëkundi, të kalohen normat etike të dialogut dhe debatit dhe procedura nuk e lejon dhe ju takon juve të ndërprisni fjalën, kur kalon caqet kaq të rënda etike.

Qëparë kërkuat t’i ndërprisni fjalën Zhupës se doli nga rendi i ditës, ndërsa kur quhemi kope, budallenj e hajvanë, nuk ka dalë nga rendi ditës. Ç’është kjo?!

Është provokacioni më i rëndë që i bëhet opozitës, ndaj kërkoj të ndërprisni seancës dhe të kërkoni konferencën e kryetarëve dhe të merrni masë ndëshkimore për kryeministrin, e keni në rregullore, është e drejta juaj, unë bëj kërkesën time dhe i kërkoj dhe kryetarëve të grupeve parlamentare që të kërkojnë ndërprerjen e seancës dhe të merren masa ndaj Ramës për ofendime kaq të mëdha që na bëri të gjithëve, unë nuk ofendoj kurrë por as nuk pranoj të ofendohem.”– deklaroi Shehu.

Një kërkesë e tillë u bë edhe nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj.

 “Tha 13 herë fjalën budalla, i budallenjve, kopeja dhe me radhë. Ndjej keqardhje për gjendjen mendore të tij, por në parlament ka një kod sjellje. Në nenin 6 thuhet që duhet sanksionuar deputeti që përdor gjuhë jo parlamentare dhe sapo ndodhi. Duhet sanksionuar nga ju, për të vendosur seriozitetin në këtë sallë.”- tha ai.

Por çfarë tha Rama që i zemëroi aq shumë deputetët e opozitës? Gjatë fjalës së tij në foltore, kryeministri ndërsa fliste për çështjen e Butrintit tha se opozitarët futur në një kope. Po ashtu i tha se “budallallëku” në familjen e demokratëve është sëmundje ngjitëse.

“Kjo e kartelës tregon edhe njëherë pse ju jeni e njëjta gjë edhe kur jeni të ndarë sepse përdorni të njëjtat argumente, flisni të njëjtat fjalë. Njerëzit kur ndahen për shkak të mospajtimeve politike dhe kulturore nuk i dallon dot poqe se dallohen nga fytyra dhe nga emri. Kartela klinike, këta e kam dëgjuar dem baba dem nga ai që ka vdekur dhe e dëgjoj si shembullin e asaj që thashë se budallallëku në familjen tuaj është sëmundje ngjitëse. Kjo është. Ky është fakt, të cilin e vërteton e përditshmja juaj, pavarësisht se jeni në njërën anë apo në anën tjetër të asgjësë që ju ka ndarë në mes.

Unë dua të merrem këtu me thelbin për shkak se vazhdon për fat të keq që fjala juaj, budallallëku juaj të gjejë jehonë nëpër tribuna të ndryshme, që janë të atyre që kanë arsye me shpresën që do nxjerrin diçka, që nuk kanë për ta nxjerrë dot.

Këtu nuk ka asnjë marrëveshje sekrete dhe se çfarë do bëhet me Butrintin e vendosim ne.  E mbaj mend mirë se çfarë ishte Butrinti kur unë isha ministër i Kulturës. Njësoj si atëherë, nuk e di a kishte lindur zonja se është shumë e re. Ju futeni në këtë kope dhe merrni budallallëkun.

Mos u ofendoni fare, të jesh i afektuar nga budallallëku është krizë. Do të thotë të jesh në një krizë që duhet ta zgjidhni vetë. Unë do të them që jeni të afektuar. E keni shtrembërimin në ADN. Në momentin që do shikoni veten në pasqyrë do kuptoni që unë them shumë pak. Merruni me veten.”– tha Rama.