Vladimir Putini mund të shpallë një luftë të re botërore brenda disa ditësh. Kështu ka paralajmëruar sot Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, Ben Wallace.
Paralajmërimi vjen pasi Rusia la të hapur mundësinë që konflikti në Ukrainë të përfundojë në një luftë botërore bërthamore.
Wallace ka paralajmëruar se lideri rus mund të përdorë festimet tradicionale të Ditës së Fitores më 9 maj, të cilat përkujtojnë fundin e Luftës së Dytë Botërore, për të thirrur trupat për një “luftë me nazistët e botës”, citon “The Sun”.
Ai tha gjithashtu se pushtimi i Ukrainës nga Rusia rrezikonte të shndërrohej në “një lloj rritjeje kanceroze” që duhet të ndërpritet.
“Nuk do të habitesha. . . se ai ndoshta do të deklarojë në 1 Maj se: ‘Tani jemi në luftë me nazistët e botës dhe duhet të mobilizojmë masivisht popullin rus’.”- kështu tha Wallace gjatë një interviste radiofonike me LBC.
Më pas ai vazhdoi: “Putini, pasi ka dështuar në pothuajse të gjitha objektivat, mund të kërkojë të konsolidojë atë që ka. . . dhe thjesht do të jetë një lloj rritje kanceroze brenda vendit.”
Kjo deklaratë e tij vjen pasi redaktorja e transmetuesit shtetëror RT Margarita Simonyan tha në një transmetim se ishte “më e mundshme” që Presidenti rus të niste një sulm bërthamor sesa të lejonte Rusinë të humbiste luftën.