Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada Amerikane pas takimeve të zyrtares së DASH-it në Tiranë: Donfried u takua me Ramën dhe drejtuesit e opozitës


Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar pas takimeve të sotme në Tiranë të ndihmës Sekretares së Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried si dhe zëvendës ndihmës sekretarit, Gabriel Escobar.

Në njoftimin zyrtar të ambasadës thuhet se Donfried dhe Escobar u takuan me kryeministrin Rama, ministrat e ndryshëm si dhe me drejtuesit e opozitës. Duke theksuar kështu edhe një herë se ambasada njeh Enkelejd Alibeajn si drejtues të PD-së dhe jo grupin e Rithemelimit.

“Si pjesë e vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor, Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ishin në Shqipëri në 28 dhe 29 prill.

Ata u takuan me Kryeministrin Edi Rama, ministra të ndryshëm, dhe drejtuesit e opozitës. Qëllimi i vizitës së tyre ishte thellimi i partneritetit tashmë të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si miq, aleate në NATO dhe anëtare në Këshillin e Sigurimit së Kombeve të Bashkuara, sidomos teksa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve tona dypalëshe.

Ata rikonfirmuan mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxitën vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi; mirëpritën përpjekjet e fundit për të diversifikuar burimet, furnizimet dhe rrugët e energjisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon; dhe nënvizuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Ata theksuan gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë, theksuan rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit dhe shprehën shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata.”– thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

Donfried u takua në Kryesinë e Kuvendit me deputetët Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi. Në takimin me zyrtarët e PD-së, mungonin deputetë që janë pjesë e grupit të Rithemelimit çka konfirmon edhe njëherë qëndrimin refuzues të SHBA-ve, për të njohur Sali Berishën dhe grupin Rithemelues si drejtues të partisë më të madhe opozitare në vend. Vizita vjen edhe një ditë para Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit.