Paraditen e sotme, ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried zhvilloi një takim me tre përfaqësues të Partisë Demokratike. Por asnjëri prej tyre nuk ishte pjesë e grupit të Rithemelimit që aktualisht ka marrë në dorë drejtimin e PD-së.
Në takimin me Donfried ishin të pranishëm kreu i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi.
Takimi nuk u mbajt në selinë blu siç do ndodhte në një situatë tjetër, por në Kryesinë e Kuvendit. Në takim ishin edhe zëvendës ndihmës sekretari, Gabriel Escobar si dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim.
Ambasada Amerikane në Tiranë reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku njohu si drejtues të PD-së tre deputetët.
Çfarë shkruan Ambasada e SHBA-ve
Në njoftimin e ambasadës shkruhet se Donfried dhe Escobar u takuan me kryeministrin Rama, ministrat e ndryshëm si dhe me “drejtuesit e opozitës”. Duke theksuar kështu edhe një herë se ambasada njeh Enkelejd Alibeajn si drejtues të PD-së dhe jo grupin e Rithemelimit.
“Ata u takuan me Kryeministrin Edi Rama, ministra të ndryshëm, dhe drejtuesit e opozitës. Qëllimi i vizitës së tyre ishte thellimi i partneritetit tashmë të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si miq, aleate në NATO dhe anëtare në Këshillin e Sigurimit së Kombeve të Bashkuara, sidomos teksa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve tona dypalëshe.“- shkruan Ambasada.
Më tej thuhet se zyrtarët e lartë amerikanë rikonfirmuan mbështetjen e SHBA-ve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxitën vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi dhe nënvizuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit.
Po ashtu thuhet: “Ata theksuan gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë, theksuan rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit dhe shprehën shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata.”
Çfarë tha Alibeaj pas takimit
Alibeaj ka folur në një prononcim për mediet pas takimit që zgjati mbi një orë, ku është shprehur se ka marrë mbështetjen e zonjës Donfried.
“Mora mbështeten e zonjës dhe DASH-it për opozitë të fortë pro amerikane dhe të qëndrueshme e cila sheh nga e ardhmja. Këto janë çështje të rëndësishme që preokupojnë PD-në.
Sfidat që diskutuam prekin gjithë Shqipërinë ky është prokupimi kryesor i PD-së.”- tha ai.
Alibeaj u pyet nga gazetarët nëse me zyrtarët amerikanë kishin folur për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Por ai iu shmang pyetjes duke thënë: “Në takimet diplomatike flitet për ato çështje që janë të rëndësishme për shqiptarët. Demokracia, shteti i së drejtës dhe lufta ndaj korrupsionit i interesojnë të gjithë shqiptarët.”
Takimi i Donfried me Alibeajn, Bardhin e Tabakun vjen një ditë para Kuvendit Kombëtar të PD-së të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit, duke dhënë kështu një mesazh të fortë kundër Komisionit të Rithemelimit të Berishës.