Vendosni fjalën kyçe....

Zyrtarja e DASH tregon pse s’u takua me Berishën, tregon marrëdhënien e SHBA-së me një opozitë të drejtuar prej tij


Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit Karen Donfried ka dhënë më shumë hollësi mbi takimet e saj me zyrtarët e qeverisë e deputetët e PD-së.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zyrtarja e lartë amerikane ka theksuar se SHBA i konsideron liderë të opozitës deputetët me të cilët është takuar, Alibeaj, Bardhi e Tabaku ndërsa shtoi se nuk mund të takohen me persona të shpallur non grata nga DASH.

Po kështu ajo tha se gjatë takimeve në PD është diskutuar për të ardhmen e jo për të shkuarën.

“Sekretari Blinken e shpalli Z. Berisha për shkak të akteve të korrupsionit ku ishte përfshirë dhe unë, si zyrtare e qeverisë së SHBA, nuk mund të takohem me persona të shpallur non grata. Besoj që pozicioni i SHBA është shumë i qartë. Në fakt u takova sot me drejtues të opozitës dhe do të ndaj me ju faktin që më bëri përshtypje se sa shumë biseda jonë u përqendrua jo tek e kaluara por tek e ardhmja dhe se çfarë PD kërkon të arrijë dhe pret për sa i përket çuarjes përpara të objektivave të Shqipërisë. U takova me ta në cilësinë time si Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë dhe në cilësinë e tyre si drejtues të Partisë Demokratike. Dhe është diçka shumë e zakonshme kur udhëtoj që të takohem si me anëtarë të qeverisë ashtu edhe me anëtarë të opozitës. Dhe për mua është gjithnjë shumë frymëzuese, diçka që të ngacmon të menduarin dhe e dobishme të dëgjosh perspektiva të ndryshme nga këndvështrime të ndryshme.” – tha Donfried