Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri shkrumbon 80 banesa në Filipine, tetë jetë të humbura, gjashtë prej tyre fëmijë


Tetë persona kanë humbur jetën, gjashtë prej të cilëve janë fëmijë, pasi një zjarr përfshiu disa dhjetëra pranë kryeqytetit të Filipineve, Manila.

BBC shkruan se zjarri, shkatërroi gjithashtu 80 shtëpi. Flakët nisën në katin e dytë të një shtëpie brenda kampusit të Universitetit të Filipineve, në Quezon City.

Shkaku i zjarrit nuk dihet.

Oficeri i lartë i zjarrfikësve Greg Bichayda i tha agjencisë së lajmeve AFP se u deshën gati dy orë për të shuar flakët.

“Zjarri u përhap shpejt.”– tha Bichayda, duke shtuar se viktimat nuk ishin në gjendje të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Ai tha se gjashtë nga ata që vdiqën ishin fëmijë, por nuk u publikuan detaje të tjera të moshës së tyre.

“Shtëpitë përbëhen nga materiale të lehta. Kur shpërtheu zjarri, njerëzit u tronditën.”– tha zoti Bichayda.

“Stacioni ynë ishte afër, por ata nuk mundën të na telefononin menjëherë.”

Filipinet janë një nga vendet me popullsinë më të dendur në botë dhe kryeqyteti i saj ka një numër të madh banorësh për kilometër katror. Mijëra njerëz jetojnë në komunitete të mbipopulluara ku zjarret janë të zakonshme.