Ministrja e klimës e Polonisë ka bërë thirrje për “sanksione të menjëhershme” ndaj naftës dhe gazit rus.
Anna Moskwa po fliste për gazetarët teksa mbërriti për një takim urgjent të ministrave të energjisë të BE-së në Bruksel.
Axhenda për sot është fokusuar kryesisht në rezervat dhe furnizimet me gaz, pas vendimit të Gazpromit për të ndërprerë furnizimin për Poloninë dhe Bullgarinë.
Por, duke folur në anglisht, zonja Moskwa tha se sanksionet e energjisë ishin një hap “i domosdoshëm” dhe “urgjent“.
“Ne do të mbështesim sanksione të plota për të gjitha lëndët djegëse fosile ruse. Ne tashmë kemi qymyr. Tani është koha për naftën dhe hapi i dytë është për gazin. Opsioni më i mirë është t’i marrim të gjitha së bashku.”– tha ajo sipas BBC-së.
Komisioni Evropian ka zhvilluar bisedime me vendet anëtare për një embargo të mundshme të naftës.
Megjithatë, ministri i Ekonomisë i Gjermanisë, Robert Habeck, pranoi më herët se jo të gjitha vendet anëtare ishin gati të miratonin një plan të tillë. Por mes tyre Polonia në përgjithësi ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj sanksioneve kundër Rusisë.